Botë

Kërcënohet me jetë drejtori i shkollës në Paris pasi i kërkoi nxënëses ta hiqte shaminë

Francë

Francë

Foto: Associated Press

Drejtori i një shkolle në Paris ka dhënë dorëheqjen për shkak të frikës për jetën e tij.

Drejtorit iu dërguan kërcënime me vdekje pasi ai kishte këmbëngulur që një vajzë adoleshente të hiqte mbulesën e saj islamike brenda shkollës, në përputhje me ligjin francez, raportoi BBC.

Emri i tij nuk është bërë publik, ndërkaq për rastin janë ndaluar dy persona, të cilët nuk kishin lidhje me shkollën.

Kërcënimi islamik ndaj shkollave franceze është marrë jashtëzakonisht seriozisht që nga vrasja e dy mësuesve.

Samuel Paty-t iu pre koka në rrugë në një periferi të Parisit në vitin 2020, dhe Dominique Bernard u vra në shkollën e tij në Arras, pesë muaj më parë.

Drejtori i shkollës në Paris njoftoi vendimin e tij në një email dërguar të premten kolegëve në Maurice Ravel Lycée, në distriktin 20 të Parisit.

"Më në fund kam marrë vendimin për të lënë funksionet e mia nga shqetësimi për sigurinë time dhe atë të institucionit. Po largohem pas shtatë vjetësh, i pasur dhe intensiv dhe pas 45 vjetësh në arsimin publik”, ka shkruar ai, duke falënderuar kolegët e tij për mbështetjen që i kanë dhënë gjatë tre javëve të fundit.

Në incidentin, i cili ndodhi më 28 shkurt, drejtori i shkollës u kishte thënë tre nxënëseve femra se duhet t'i binden ligjit duke hequr mbulesat e kokës. Dy u bindën, por e treta jo, gjë që nxiti që mes tyre të kishte probleme.

Në ditët në vijim, drejtori ishte bërë objekt i kërcënimeve me vdekje në rrjetet sociale, të cilat u sinjalizuan nga shkolla në një linjë telefonike të ministrisë së Brendshme.

Policia u dërgua për të patrulluar rreth shkollës, derisa një vizitë aty e zhvilloi edhe ministrja franceze e Arsimit, Nicole Belloubet.