Botë

“Kemi humbur gjithçka”: Zhgënjim dhe dilema në Turqinë në flakë

“Kurrkush nuk ka marrë përgjegjësi për këto zjarre dhe ne sot kemi mbetur pa kurrgjë”, ka thënë Hatixhe Çënar, vendasja që tregon se rënia e lisave në flakë ia dogji shtëpinë. Të gjitha 500 trupat e mbjella – për të cilat besonte se do t’i siguronin të birit 18-vjeçar të ardhme solide – janë djegur nga zjarret. “Bashkë me pyllin, humbëm gjithçka”, thekson ajo

Brigjet jugore të Turqisë po digjen flakë. Në kodrat malore të Antalyas, në zonën Manavgat të Ankarasë, shtëllungat e tymit të zi kanë pushtuar qiellin, derisa autoritetet dhe qytetarët po mundohen që t’i vënë nën kontroll vatrat e zjarreve.

Por tamam kur duket se një vatër po shuhet, po ndizet një tjetër, shkruan “Al-Jazeera”.

Shenja e fundit

Dielli i përflakur mezi shihet në qiellin e tymtë. Por edhe atëherë kur qielli nis të kthjellohet, ngelen vetëm drunjtë e ndezur dhe shtëpitë e djegura të fshatrave. Shumëkush beson se kjo është vetëm shenja e fundit se bota po futet në epokën e krizës klimatike, dhe se Turqia nuk është e përgatitur për këtë punë.

Gjatë shtatë ditëve të kaluara, më shumë se 130 zjarre janë përhapur nëpër pjesët jugore dhe të tjera të Turqisë, duke ua marrë jetën tetë personave dhe djegur më shumë se 118 mijë hektarë tokë, tregojnë të dhënat e Sistemit Informativ Evropian të Zjarreve të Pyjeve.

Në kohën kur kundërthënia po vazhdon, shumëkush në Turqi beson se zjarret janë rezultat i “sabotazhit” – teori kjo e inkurajuar prej shumë politikanëve – ngase ato rastisin me muajt e thatësisë së madhe dhe temperaturave ekstrem të larta.

Antalya, një zonë e rëndësishme turizmi me temperatura mesatare mes të tridhjetave në këtë periudhë të vitit, sivjet është përballur me temperatura mbi 40 shkallë celsius. Më 20 korrik, Turqia ka regjistruar temperaturën më të lartë rekorde prej 49.1 shkallë celsius në juglindje të vendit.

Shumë prej zjarreve janë përhapur në pyjet afër destinacioneve të njohura bregdetare dhe të njohura për turistët e huaj, sidomos ata evropianë. Zonat që janë prekur janë Bodrumi e Marmarisi, ku ka pasur zjarre të rrëmbyeshme, duke i detyruar vendasit dhe turistët që të largohen nëpër tym me makina e barka. Temperaturat e larta kanë mbërthyer krejt Evropën Jugore, përfshirë Greqinë, Spanjën, Italinë dhe Kroacinë, shkruan “Al-Jazeera”.

Ferri i së dielës

Manavgati është në mesin e vendeve më të prekura nga zjarret në Turqi, dhe derisa zjarret sezonale janë normale, madje edhe të shëndetshme për ekosistemin lokal, grupet e mjedisit thonë se asnjëherë nuk kanë parë zjarre të përmasave të tilla. Me pyjet e thata dhe erërat e fuqishme – sidomos ajo që fryn nga verilindja e njohur në Turqi si “poyraz” – autoritetet po përballen me telashe për ta pasur gjendjen nën kontroll.

Fshati i vogël Sirtkoy, ku njerëzit bukën e gojës e sigurojnë prej shitjes së gjetheve aromatike të dafinave që përdoren për receta të ndryshme, u kaplua nga zjarri në orët e hershme të së dielës. Brenda një ore, shkolla e fshatit u mbërthye krejtësisht nga flakët dhe shumë shtëpi u kthyen në rrënoja.

“Gjithçka në fshat ishte mirë dje”, thekson Mustafa, një banor vendas, por që nuk ka dashur që ta tregojë edhe mbiemrin, derisa me gisht tregon në drejtim të një grumbulli gurësh të mbuluar nga bloza. Aty një ditë më parë ndodhej shtëpia e mikut të Mustafës.

“Zjarri na kaploi në pesë të mëngjesit sot dhe dogji gjithçka. Në orën gjashtë të mëngjesit, zjarri u shua, por në orën nëntë pati frymë dhe zjarret u kthyen përsëri”.

Në luftë me flakët

Kur “Al-Jazeera” vizitoi Sirtkoyn të dielën pasdite, aeroplanë, zjarrfikës dhe punëtorë pyjesh po luftonin palodhshëm me flakët e rrufeshme, që ndizeshin edhe pasi fikeshin. Me tymin e bardhë që ua kishte skuqur sytë, shumë burra duhej të kujdeseshin edhe për mbrojtjen e mushkërive të tyre për shkak të mungesës së maskave të nevojshme specifike.

Banorët po i stërpiknin muret e jashtme dhe pronat e tyre me shishe uji, duke u munduar dëshpërimisht t’i mbanin flakët larg katandisë së tyre. Por kishte prej atyre që akuzonin autoritetet shtetërore se nuk kishin qenë të përgatitura për katastrofën. Ata mendojnë se shteti është dashur ta parashikonte këtë.

“Kurrkush nuk ka marrë përgjegjësi për këto zjarre dhe ne sot kemi mbetur pa kurrgjë”, ka thënë Hatixhe Çënar, vendasja që tregon se rënia e lisave në flakë ia dogji shtëpinë.

Çinar ka thënë se fshati nuk është i përshtatshëm për kultivimin e perimeve ose për kafshë shtëpiake, kështu që banorët jetonin me kultivimin e gjetheve të dafinës. Të gjitha 500 trupat e mbjella – për të cilat besonte se do t’i siguronin të birit 18-vjeçar të ardhme solide – janë djegur nga zjarret.

“Bashkë me pyllin, humbëm gjithçka”, thekson ajo.

Kritika Erdoganit

Gjatë fundjavës, presidenti Recep Tayyip Erdogan dhe ministrat qeveritarë vizituan komunitetet e shkatërruara nga zjarret për të inspektuar dëmin dhe ofruan mbështetjen e tyre.

“Do të vazhdojmë të marrim të gjithë hapat e domosdoshëm për të shëruar plagët e popullit tonë, do t’i kompensojmë humbjet dhe do të përmirësojmë mundësitë”, ka thënë Erdogan, duke premtuar se Qeveria do të ofrojë përkrahje financiare për qytetarët e prekur nga zjarret. Në kuadër të masave parashihet pagesa e qirave, shtyrja e taksave, siguria sociale dhe pagesat e kredive, si dhe ofrimi i kredive pa norma interesi për bizneset e vogla.

“Nuk mund të bëjmë diçka përtej shprehjes së mëshirës së Zotit për jetët e humbura, por gjithçka tjetër që është djegur, mund ta zëvendësojmë”, ka shtuar ai.

Shumëkush ka kritikuar Qeverinë e Turqisë për mënyrën e menaxhimit të katastrofës, sidomos për shkak të mungesës së aeroplanëve të zjarrfikësve në vend. Kështu, hidrobombardues nga Ukraina, Rusia, Azerbajxhani dhe Irani janë përdorur për të ndihmuar, derisa Bashkimi Evropian i ka zotuar edhe tre hidrobombardues të tjerë.

“50 vjet pune u dogjën brenda minutash”

Me mungesën e burimeve për luftimin e zjarreve në rajon, zjarrfikësit nga komunat e mbarë vendit janë dërguar për të ndihmuar në aksione të mëdha. Ekipe vullnetarësh janë mbledhur për të ofruar përkrahje për të zhvendosurit, përfshirë anëtarët e partisë Komuniste të Antalyas, që kanë vizituar zonat e prekura prej së enjtes duke dhuruar veshmbathje, ushqim dhe ujë të freskët.

“Njerëzit po kalojnë kohë të vështira, por Qeveria duhet ta bëjë këtë me taksat tona, e jo ne”, ka thënë vullnetari Cem Taylan. “Ishte e parashikueshme. Nuk është punë fati, mund të menaxhoni dëmet që këto zjarre i shkaktojnë”.

Në fshatin Kalemler, Mitad Akça, 63 vjeç, dhe gruaja e tij, Hatixhe Akça, 61, po mbushnin makinën para shtëpisë së tyre nën rrënoja me donacione pemësh e perimesh dhe ushqime të tjera të sjella nga Afad-i, agjencia që merret me menaxhimin e emergjencave dhe katastrofave.

Ata thonë se i tërë fshati është rrafshuar tri ditë më parë për 45 minuta dhe gjërat e vetme që ia kanë dalë t’i shpëtojnë të nxehtit ishin stolitë.

“Zjarri erdhi prej largësisë prej 35 kilometrash dhe isha aq nervoz saqë nuk dija çfarë të bëja. Nuk mora asgjë me vete, veç ia mbatha”, ka thënë Akça.

“Traktori dhe gjithçka tjetër m’u dogjën – pesëdhjetë vjet pune u dogjën brenda pak minutash. Por Erdogani erdhi sot dhe na tha se Qeveria do të na ofrojë traktorë të rinj javën e ardhshme dhe shtëpia të reja brenda vitit”.

Shenjat e shpërfillura

Hediye Gundiz, drejtoreshë e grupit mjedisor “Platforma A”, ka thënë se Qeveria ishte paralajmëruar pesëmbëdhjetë vjet më parë pas zjarreve të fundit të zakonshme në Manavgat se ngrohja globale me gjasë do të shkaktonte më shumë zjarre, por nuk u ndërmor asgjë.

Ajo ka thënë se pos sigurimit të hidrobombarduesve, që duhet të sigurohen shpejt e shpejt, Qeveria duhet të merret edhe me trajnimin e banorëve të zonave të rrezikuara për parandalimin e zjarreve.

“Një fidani i duhet tridhjetë deri në dyzet vjet për t’u rritur. Mund të duhen edhe pesëdhjetë vjet për të kthyer çfarë kemi humbur, por nuk e kemi ujin që na duhet për të si dikur”, ka shtuar ajo.

“Al-Jazeera” shkruan se megjithatë kjo nuk ishte shenja e fundit se Turqia po ka telashe për t’u marrë me ndryshimin klimatik – në maj, një liqen në krahinën lindore Van u tha plotësisht. Zogjtë shtegtarë si flamingot janë gjetur të ngordhur në grupe sivjet për shkak të zhdukjes së habitateve të tyre, ndërkaq thatësirat kanë shkaktuar vrima të thella në Anadoll, dhe javën e kaluar gjashtë persona vdiqën si pasojë e vërshimeve në rajonin turk të Detit të Zi.

Pse SHBA-ja i djeg vetë pyjet?

Prej dhjetorit, “jargët e detit”, të shkaktuara nga temperaturat e ngritura dhe ndotja e madhe detare, vërshuan Detin Marmara, duke larguar turistët dhe ndikuar drejtpërdrejt në mirëqenien e peshkatarëve të këtyre anëve.

Ekologu i zjarreve, Ismail Bekker, ka thënë se ringjallja e natyrës nga zjarret, më mirë është t’i lihet vetë natyrës sesa të provohet me mbjellje fidanësh.

“Këto ekosisteme mesdhetare dhe zjarre kanë qenë si ato të para qindra-mijëra vjetësh, madje dhe miliona vjetësh, megjithëse më të vogla”, ka thënë ai, duke shtuar se ligjet e forta të mbrojtjes së pyjeve në Turqi i bënë më të mundshme katastrofat e ngjashme.

Derisa në disa vende, si Shtetet e Bashkuara, zjarret e kontrolluara përdoren për të pastruar pyjet nga gjethet e thata dhe mbetjet e tjera që shërbejnë si shkaktarë zjarresh, Turqia nuk e lejon një praktikë të tillë, duke pamundësuar kontrollin e zjarreve të mundshme natyrore.

“Duhet të përfshijmë pyjet në planifikim urban, sepse kjo katastrofë ka treguar se zjarret pyjore kanë arritur përmasa të mëdha që mund të kërcënojnë edhe zonat urbane”, ka thënë ai.

“Derisa klima po ndryshon, do të ketë mot më të nxehtë dhe më shumë zjarre”. \ Al-Jazeera

Përktheu: Rexhep Maloku