Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi është vënë në qendër të një hetimi nga Komisioni Evropian nën dyshimet se ka mbështetur liderin serb të Bosnjë-Hercegovinës, Milorad Dodik.
Në rezolutën për Politikën e Jashtme dhe Sigurisë së Bashkimit Evropian, Varhelyi akuzohet për disa çështje që nuk përputhen me linjën e Brukselit zyrtar, raportoi të mërkurën “Euroneës Albania”.
Në dokument, shikohet me dyshim raporti dhe mbështetja që Oliver Varhelyi ka dhënë disa herë për Dodikun. Por, po ashtu me shqetësim është parë edhe qasja që Varhelyi ka ndaj reformave që duhet të bëjnë vendet kandidate për në Bashkimin Evropian.
“Parlamenti Evropian mbetet thellësisht i shqetësuar për raportet se Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim, me qëllim bën përpjekje që të anashkalohet dhe ulet rëndësia qendrore e reformave demokratike dhe sundimi i ligjit në vendet që janë në proces të anëtarësimit”, thuhet në dokumentin e Komisionit Evropian.
Hungarezi Oliver Varhelyi ka qenë propozim i qeverisë së Viktor Orban për të marrë këtë post të rëndësishëm edhe për Ballkanin Perëndimor. Pak ditë më parë, Budapesti i dha një mbështetje të paprecedentë Serbisë kur njoftoi se do të kundërshtojë anëtarësimin e Prishtinës në Këshillin e Evropës, edhe pse ka qenë ndër shtetet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës.