Komisioni Evropian ka thënë se do të bojkotojë takimet joformale të mbajtura nga Hungaria, derisa shteti mban presidencën gjashtëmujore të BE-së.
Kjo vjen pasi kryeministri pro-rus i Hungarisë, Viktor Orban, ka mbajtur një varg takimesh me liderët e huaj rreth Ukrainës, e të cilat shkaktuan zemërimin e partnerëve të tij evropianë, raporton AP.
“Ne duam të nënvizojmë mosmiratimin tonë me udhëtimin e pakoordinuar të kryeministrit Orban në vendet e treta për këtë çështje, veçanërisht për luftën në Ukrainë, të cilat me të vërtetë kanë dëmtuar imazhin e domosdoshëm të unitetit në Bashkimin Evropian, dhe shënon mosmarrëveshje”, ka deklaruar të martën zëdhënësi i komisionit të BE-së, Stefan de Keersmaecker.
Hungaria mori përsipër rolin e radhës gjashtëmujor më 1 korrik, dhe që atëherë Orbani ka vizituar Ukrainën, Rusinë, Azerbajxhanin, Kinën dhe Shtetet e Bashkuara. Ai e ka cilësuar turneun e tij botëror si "mision paqeje" që synon të ndërmjetësojë përfundimin e luftës së Rusisë në Ukrainë, gjë që zemëroi shumë liderë në BE, të cilët thanë se nuk ishin informuar paraprakisht për planet e Orbanit dhe nxituan të theksojnë se lideri nacionalist nuk po vepronte në emër të bllokut gjatë takimeve të tij të befasishme me Vladimir Putin dhe Xi Jinping.
Një zëdhënës i qeverisë hungareze, Zoltan Kovacs, ka shkruar në X se vendimi është produkt i njëanshmërisë politike.
“Sakrifikimi i strukturës institucionale për qëllime politike private dhe shpërfillja e rolit të Komisionit për motive ideologjike dhe politike”, është shprehur ai.
Vendimi i Komisionit Evropian zbatohet për takimet jozyrtare të organizuara nga Hungaria dhe do të thotë se nëpunësit e lartë civilë do të marrin pjesë në vend të zyrtarëve të lartë si presidentja e Komisionit Evropian, aktualisht Ursula von der Leyen.
Qeveria e Orbanit ka shkuar kundër rrjedhës evropiane duke refuzuar të furnizojë Kievin me armë për të penguar pushtimin e Rusisë dhe duke kërcënuar se do të bllokojë ndihmën financiare për vendin e shkatërruar nga lufta.