Të paktën katër persona kanë mbetur të vrarë si pasojë e një sulmi ajror izraelit në një oborr spitali në Rripin e Gazës, herët të hënën.
Sulmi shkaktoi një zjarr që përfshiu një kamp me tenda për njerëzit e zhvendosur nga lufta, duke lënë disa prej tyre të djegura, sipas mjekëve palestinezë, raporton AP.
Spitali i martirëve Al-Aksa në qytetin qendror Deir al-Balah po trajton një numër të madh të të plagosurve nga një sulm i mëparshëm në një strehë të kthyer në shkollë, që la të vdekur të paktën 20 persona.
Pamjet e Associated Press treguan fëmijë mes të plagosurve.
Të dhënat spitalore treguan se katër persona u vranë dhe 40 u plagosën. Njëzet e pesë persona u transferuan në Spitalin Nasser në Gazën jugore pasi pësuan djegie të rënda, sipas Spitalit të martirëve Al-Aksa.
Izraeli është ende duke kryer sulme pothuajse çdo ditë në të gjithë Rripin e Gazës, më shumë se një vit pas luftës, dhe ka kryer një sulm të madh tokësor në veri, ku thotë se militantët janë rigrupuar.
Lufta filloi kur Hamasi sulmoi Izraelin jugor më 7 tetor 2023, duke vrarë rreth 1200 njerëz, kryesisht civilë, ndërsa militantët palestinezë rrëmbyen rreth 250 pengje. Rreth 100 mbahen ende brenda Gazës, një e treta e të cilëve besohet të jenë të vdekur.