Notre Dame

Katedralja 861-vjeçare rihapet pas pesë vjetësh, bashkon liderët botërorë në Paris

rihapja e notredame

Pesë vjet pas zjarrit të 2019-s, katedralja e “Notre-Dame” në Paris hapi zyrtarisht dyert. Restaurimi është parë si arritje e madhe për presidentin Emmanuel Macron, i cili e mbështeti këtë projekt edhe gjatë krizave politike të brendshme. Në ceremoninë e rihapjes së katedrales së “Notre-Dame” morën pjesë liderë të shumtë ndërkombëtarë, përfshirë presidentin amerikan në ardhje, dhe kreun e Ukrainës.

Katedralja e “Notre Dame-it” në Paris hapi zyrtarisht dyert, pas zjarrit që e kaploi në vitin 2019, e i cili e shkatërroi pothuajse tërësisht ndërtesën 861-vjeçare.

Restaurimi po shihet si triumf për presidentin francez, Emmanuel Macron, i cili e ka shtyrë përpara këtë projekt, pavarësisht krizave të brendshme politike.

Në Pallatin Elysee, Macron ka mirëpritur presidentin e zgjedhur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump dhe homologun ukrainas, Vlodymyr Zelensky, përpara se të shkojë në ceremoninë e rihapjes së katedrales.

Ceremonia e rihapjes së "Notre Dame":

Duke folur për mediat, Trump ka thënë se me Macronin kishin sukses të madh sa patën bashkëpunuar gjatë mandatit të parë të republikanit në Shtëpinë e Bardhë.

Udhëtimi në Francë shënon kthimin e Trumpit në skenën botërore, por tashmë duke u përgatitur për të trajtuar një mori krizash ndërkombëtare.

Pak para ngjarjes së të shtunës, Macroni përkujtoi pak nga fatkeqësia që kishte trazuar  vendin.

“Planeti u trondit atë ditë. Dua të besoj që rihapja do jetë një tronditje po aq e fortë sa ajo e zjarrit, por kësaj radhe, tronditje shprese”, ka thënë Macroni.

"Notre Dame" gjatë shkatërrimit dhe pas restaurimit:

Përveç Trumpit e Zelenskyt, në ceremoninë hapëse të katedrales po marrin pjesë edhe figura të tjera ndërkombëtare sikurse, princi William e Jill Biden.

Edhe presidentja Vjosa Osmani ndodhet në Paris, si e ftuar në këtë ngjarje.

Pesë vjet e gjysmë pas zjarrit shkatërrues, Macron kishte planifikuar ta bënte rihapjen e katedrales kulmin optimist të vitit 2024 – një vit i shënuar gjithashtu nga Lojërat Olimpike të Parisit.

Ceremonia shënon edhe momentin që Kisha Katolike rimerr në zotërim katedralen, përpara meshës së parë që do të kremtohet të dielën.

Macron fillimisht kishte menduar të mbante një fjalim brenda katedrales, por u këshillua se kjo do të binte ndesh me rregullat e rrepta të Francës për laicitetin.

Nga personalitetet që nuk do të marrë pjesë është Papa Françesku, megjithëse ai ka dërguar një mesazh.

Raportohet se ai është i pakënaqur nga politikat franceze për ta ulur imigracionin dhe nga vendimi i

Macronit për të vendosur të drejtën e abortit në kushtetutë.