Botë

Katastrofa zgjon nga gjumi një popull në krizë

Foto: AP

Neglizhenca, korrupsioni, keqmenaxhimi dhe kriza e thellë ekonomike kanë gufuar të martën në një prej ditëve më të rënda të Libanit, edhe ashtu të shembur.

Shpërthimi i 2 mijë e 750 tonë nitrati të amoniumit në depon e portit të Bejrutit ka përmbledhur gjithçka që po përjetonte Libani në vitet e fundit.

Lëndët kimike që gjendeshin në depo që prej vitit 2013 kanë lënë të vdekur 154 persona dhe kanë lënduar më shumë se 5 mijë të tjerë.

Shpërthimi i fuqishëm ka shkatërruar lagje të tëra të kryeqytetit. Shtëpi dhe lokale janë shndërruar në gërmadha. Dhjetëra njerëz ende janë të zhdukur.

Nga shpërthimi është krijuar një krater i gjerë deri në 140 metra.

Vala e shpërthimit theu xhamat e aeroportit ndërkombëtar të Bejrutit që gjendej 9 kilometra larg, ndërkaq zhurma është dëgjuar deri në Qipro, 200 kilometra larg.

Sipas matësve, shpërthimi ishte i barabartë me një tërmet 3.3 shkallësh.

Një anije me flamur të Moldavisë ishte ndalur në Bejrut në vitin 2013 pasi kishte problem teknike teksa po lundronte nga Gjeorgjia në Mozambik.

Anija Rosus ishte inspektuar ndërsa i ishte pamundësuar largimi nga porti. Pronarët e saj e braktisën kurse lëndët kimike u transferuan në depon e dymbëdhjetë. Me urdhër të gjykatës lëndët kimike është dashur të hiqeshin ose shiteshin menjëherë nga shteti.

Nitrati i amoniumit është në formë kristalesh të bardha dhe përdoret si burim i nitrogjenit për fertilizuesit agrikulturor. Mirëpo në rast se kombinohet me karburante, atëherë krijon shpërthime që përdoren nga industritë e minierave dhe ndërtimeve. Militantët në të kaluarën me këtë material kimik kanë krijuar bomba të fuqishme.

Ekspertët kanë thënë se nitrati i amoniumit është i sigurt nëse ruhet siç duhet. Sidoqoftë, nëse sasi e madhe e materialeve gjendet rreth tij për një kohë të gjatë, atëherë fillon të kalbet.

Nitrati i amoniumit edhe në të kaluarën ishte shkaktar i aksidenteve industriale. Në vitin 1947, një anije me dy mijë tonë kishte eksploduar në Teksas, duke lënë të vdekur 581 persona.

Një zjarr ka nxitur shpërthimin e kësaj lënde kimike edhe në Bejrut.

Burime të ndryshme kanë thënë se zjarri ka nisur nga saldimi në një vrimë të depos së 12, pikërisht aty ku po ruhej edhe nitrati i amoniumit.

Drejtues të portit kanë konfirmuar se punëtorët po rregullonin derën e depos pak minuta para shpërthimit.

Dogana e Libanit kishte paralajmëruar për rrezikun nga lënda kimike dhe kishte bërë thirrje për largimin e nitratit të amoniumit, mirëpo kërkesat e saj ishin refuzuar.

Që prej të martës kanë qarkulluar dokumente me të cilat, dogana i kishte dërguar letra gjykatës për më shumë se gjashtë herë që nga viti 2014 deri më 2017. Në krejt këto letra i kishte kërkuar udhëzime në lidhje me nitratin e amoniumit.

Shpërthimi ka zgjuar nga gjumi qeverinë e Libanit që ka urdhëruar arrestimin e zyrtarëve kryesorë të portit.

Porti i Libanit ishte fija e vetme që e mbante lidhjen e shtetit me krejt botën. Gati 80 për qind e drithërave vinte nga porti.

Mijëra libanezë janë të pakënaqur me premtimet e qeverisë për transparencë në rastin e shpërthimit në port.

Hetimet i shohin si formë e fshehjes së elitës politike të zhytur në korrupsion, keqmenaxhim.

Që prej të martës kanë nisur protestat kundër pushtetit. Këto protesta nisën pothuajse një vit më parë për shkak të mungesës së energjisë elektrike dhe ujit. Por përhapja e pandemisë ua ndali hovin. Tani kanë edhe një arsye më shumë për vazhdimin e tyre.