Botë

Katari po rivlerëson rolin si ndërmjetës midis Izraelit dhe Hamasit

Majed al-Ansari

Katari ka deklaruar të martën se po rivlerëson rolin e tij si ndërmjetës i bisedimeve midis Izraelit dhe Hamasit për armëpushim në Rripin e Gazës, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

“Katari po i nënshtrohet një rivlerësimi të rolit të tij si ndërmjetës. Kjo ka të bëjë me shumë elementë, duke përfshirë fushatat kundër vendit tim në media të ndryshme dhe nga zyrtarë të ndryshëm që po sulmojnë vendin tonë dhe rolin e tij si ndërmjetës”, ka thënë për gazetarët në Doha, Majed al-Ansari, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Katarit.

Ai ka thënë gjithashtu se po zhvillohen diskutime rreth pranisë së Hamasit në Katar.

Grupi militant ka pasur një zyrë politike në Doha, prej vitesh, por “Wall Street Journal” ka raportuar ditët e fundit se Hamasi mund të largohet nga vendi pas bllokimit të bisedimeve. 

Hamasi ka mohuar raportimet mbi largimin nga Katari.