Organizata fetare koreano-jugore e themeluar nga Sun Myung Moon, bleu një tokë të largët në Paraguai rreth një çerek shekulli më parë, me shpresën për të krijuar një oazë për besimtarët. Tani zona është një qendër e trafikimit global të drogës
Në një mëngjes korriku, të vitit të kaluar, rreth 30 oficerë paraguaianë kundër narkotikëve zbarkuan në një shkretëtirë të madhe pyjore të njohur si Chaco, për të bastisur pesë pista aterrimi të aeroplanëve, të përdorur nga trafikantët e drogës.
I ndodhur në Paraguain verior, një komb i vogël, pa dalje në det të Amerikës së Jugut, Chaco i izoluar, është bërë vitet e fundit një pikë kyç e transportit për bandat që trafikojnë kokainën drejt tregjeve evropiane.
Nga pesë pistat e aterrimit, të bastisura më 6 korrik 2022, katër ishin në pronësi të Kishës së Unifikimit të Koresë së Jugut, zbuloi Reutersi.
Imzot Sun Myung Moon, i cili themeloi Kishën e Unifikimit në vitin 1954, u bë një nga pronarët më të mëdhenj privatë të Paraguait kur bleu parcelën Chaco gati 25 vjet më parë, si pjesë e një zgjerimi fetar dhe tregtar në Amerikën Latine. Kisha, e cila shpesh është etiketuar si një kult nga kritikët, është më e njohur për dasmat e saj masive dhe një perandori të errët të biznesit ndërkombëtar.
Dy oficerë të lartë paraguaianë kundër narkotikëve i dhanë Reutersit 11 koordinata të pistave të aterrimit të Chacos që dyshohet se përdoreshin nga bandat e drogës. Duke shënuar koordinatat në një hartë të Moon-it, të siguruar nga një burim i kishës, Reutersi identifikoi të paktën pesë pista të ndryshme ajrore në pronë, duke përfshirë katër të bastisjes së korrikut.
Autoritetet nuk gjetën drogë apo avionë gjatë operacionit dhe nuk bënë asnjë arrestim. Por kishte streha pranë pistave me furnizime bazë, shtretër dhe pajisje radio, sipas dy zyrtarëve paraguaianë të pranishëm. Disa ditë më vonë, një ekip me pajisje ndërtimi dhe eksplozivë mbërriti për të shkatërruar pistat dhe për t’i bërë ato të pafuqishme, bëri të ditur një nga zyrtarët.
Reutersi nuk gjeti asnjë provë se Kisha e Unifikimit ose anëtarët e saj ishin të përfshirë në shpërndarjen e drogës së shënjestruar nga bastisjet, ose në kontrollin e pistave ajrore në Chaco, një zonë që autoritetet në Paraguai e përshkruajnë si të paligjshme.
Bastisjet e Chacos tregojnë për një sfidë serioze për autoritetet që luftojnë tregtinë ndërkombëtare të kokainës. Paraguai ka mbikëqyrje të pakët të hapësirës së tij ajrore kombëtare dhe nuk ka fare gjurmim me radar në Chaco, treguan prokurorët. Kjo i lejon bandat e drogës të udhëtojnë në pyjet e përhapura të vendit, me dërgesa të kokainës boliviane ose peruane. Ata aterojnë aeroplanët e tyre në pista klandestine ajrore. Droga më pas kontrabandohet nga toka ose lumi në portet e Atlantikut në Brazil, Uruguai dhe Argjentinë, përpara se të niset drejt lindjes me anije kontejnerësh të destinuar për në Evropë.
Kisha e Unifikimit është një fuqi e madhe në këtë rajon. Moon, themeluesi i saj, vizitoi për herë të parë Chacon në vitet 1990. Në vitin 2000, ai bleu parcelën prej rreth 600 mijë hektarësh nga një konglomerat bujqësor argjentinas, duke paguar 22 milionë dollarë për një zonë afërsisht dhjetë herë më të madhe se Manhattani.
Qendër e trafikimit të drogës
Blerja e Chacos të izoluar nga Moon, konfuzoi shumë njerëz në Paraguai.
Në autobiografinë e tij të vitit 2009, Moon e përshkroi veten si pjesë e “një lëvizje globale mjedisore për të ruajtur krijesat e gjalla” të Chacos “në gjendjen e pacenuar në të cilën Zoti i krijoi ato”. Ai thotë se shpresonte ta transformonte “tokën e lënë pas dore” në një parajsë tokësore dhe një bazë për mbështetësit e tij.
Por kisha hasi shpejt në probleme në Chaco, që vazhdojnë edhe sot.
Që nga blerja e Moonit, banorët e një qyteti të vogël brenda pronës kanë kundërshtuar ashpër pronësinë e kishës. Pas vdekjes së Moonit në vitin 2012, të afërmit e tij e ndanë kishën në tre sekte rivale, dy prej të cilave po zhvillojnë një betejë të gjatë ligjore mbi atë se kush e zotëron kompleksin Chaco. Së fundmi, edhe trafikantët e drogës janë futur në territor.
Bastisjet e 6 korrikut ishin pjesë e një hetimi ndaj një bande kontrabanduese të udhëhequr nga trafikanti i dyshuar, Miguel Ángel Servín, sipas agjencisë kundër narkotikëve SENAD të Paraguait dhe prokurorit kryesor në këtë çështje.
Servín u arrestua në vitin 2021, një vit para bastisjes, me akuzën e trafikimit të drogës dhe konspiracionit kriminal. Hetimi filloi me sekuestrimin e vitit 2020 të 3.4 tonelatave kokainë nga policia belge në Antwerp, porti kryesor i hyrjes në Evropë për drogën. Kokaina, e fshehur në një ngarkesë qymyri të prodhuar nga Chaco, u gjurmua në Paraguai, sipas aktakuzës së parë nga Reuters-i. Servíni mbetet në burg, në pritje të gjykimit. Avokati i Servinit, Rodrigo Alvarez, ka thënë se klienti i tij pohon se është i pafajshëm.
Elva Cáceres, prokurorja kryesore në çështjen Servín, konfirmoi për Reuters-in se disa nga pistat e aterrimit, të bastisura në korrik të 2022-s ishin vendosur në tokën e kishës. Ajo tha se nuk ishte në dijeni të përfshirjes së kishës apo ndonjë zyrtari të saj në trafikimin e drogës.
Byun, avokati i Kishës së Unifikimit, i dha Reuters-it një dokument të prillit të 2022-s që kisha ua dërgoi prokurorëve paraguaianë kundër narkotikëve, duke kërkuar një hetim për aktivitete të mundshme të paligjshme. Dokumenti përmendte një sekuestrim të 449 kilogramëve kokainë në maj të vitit 2021 në tokën e tij dhe gjithashtu tregoi ekzistencën e mundshme të pistave narko brenda kufijve të tij.
Marco Alcaraz, një nga prokurorët kryesorë të Paraguait kundër narkotikëve, deri në pensionimin e tij javën e kaluar, konfirmoi se kishte marrë dokumentin dhe ia kishte kaluar SENAD-it për hetim të mëtejshëm.

Operacioni i thumbimit
Një paraguaiane e shquar, me lidhje të ngushta me kishën, është dënuar për një krim të lidhur me drogën: Cynthia Tarrago, anëtare e Kongresit të Paraguait midis viteve 2013 dhe 2018 dhe presidentja rajonale e një organizate të kishës.
Në Paraguai, ku blerja e Chacos ka qenë prej kohësh e diskutueshme, kisha ka kultivuar lidhje të ngushta me presidentë, politikanë dhe gjyqtarë të gjykatës supreme. Disave u janë dhënë poste të larta në kishë ose në organizatat e shumta të saj.
Tarrago ishte njëra prej tyre. Në vitin 2017, ajo u emërua presidente e kapitullit të Amerikës së Jugut të Shoqatës Ndërkombëtare të Parlamentarëve për Paqe (IAPP). Byun, avokati i kishës, u emërua sekretar i përgjithshëm. Duke filluar nga viti 2016, IAPP-i rekruton ligjvënës nga e gjithë bota, të cilët janë të përkushtuar për të avancuar qëllimet e kishës.
Në vitin 2020, Tarrago dhe bashkëshorti i saj, Raimundo Va, u deklaruan fajtorë për akuzat për pastrim parash pasi u kapën në një operacion të ashpër nga Byroja Federale e Hetimit të SHBA-së. Agjentët e FBI-së në rolin e trafikantëve të drogës siguruan paratë që pastronte Tarrago.
Para dënimit të saj, Tarrago, një ish-personalitet televiziv, ishte një yll në rritje i Partisë së krahut të djathtë të Colorados që ka sunduar Paraguain gjatë 75 vjetëve, përveç pesë viteve të fundit. Ajo foli hapur për ambicien e saj për të qenë presidentja e parë grua e vendit dhe sapo kishte shpallur kandidaturën e saj për kryetare bashkie të Asunción-it, kryeqytetit, kur u arrestua në tokën amerikane në fund të vitit 2019.
Tarrago kishte filluar të merrte pjesë në ngjarje të rëndësishme të kishës në Paraguai në vitin 2016. Një vit më pas, ajo foli në një samit global në Seul, sipas materialeve promovuese të kishës. Në nëntor të 2018-s, ajo fluturoi në qytetin e New Yorkut me bashkëshortin e saj, Va, për një tjetër ngjarje të tillë në hotelin “New Yorker” në pronësi të Kishës së Unifikimit.
Gjatë qëndrimit të tyre, çifti takoi një agjent të fshehtë të FBI-së, i cili u kërkoi atyre të pastronin paratë e drogës. Ata i thanë agjentit se “sa të lira janë kokaina dhe marihuana në Paraguai” dhe shtuan se “kishin një rrjet që mund të importonte drogë në Shtetet e Bashkuara”, sipas aktakuzës penale nga Prokurori i SHBA-së në New Jersey.
Në kohën kur u arrestuan në një udhëtim tjetër në SHBA, një vit më vonë, çifti kishte pastruar 800 mijë dollarë para të gatshme të FBI-së me ndihmën e një bashkëpunëtori paraguaian, Rodrigo Alvarenga Paredes, i cili përpunoi fondet e transferimit të parave, përmes biznesit të tij.
Tarrago dhe Va u dënuan vitin e kaluar me 33 muaj burgim, në një burg në SHBA. Tarragos, e cila mbahej në burg që nga arrestimi i saj në nëntor 2019, iu vlerësua koha e kryer dhe u lirua në prill të 2022-s.
Nëntorin e kaluar, Alvarenga, bashkëpunëtori i Tarragos, u dënua me dy vjet burgim në SHBA për drejtimin e një biznesi të palicencuar të transferimit të parave. Muaj më vonë, më 29 mars, ai u arrestua në Asunción, i akuzuar se po drejtonte një grup që kishte dërguar të paktën 17 tonelata kokainë në Evropë gjatë dy viteve të fundit. Ai është në burg në pritje të ekstradimit në Brazil.
Përktheu: Forca Jashari