Dikur u cilësua në Washington si "frymë e re" antinacionaliste në Ballkanin e prekur nga gjenocidi në Bosnjën e ndarë etnikisht. Mirëpo kohët kanë ndryshuar.
Në një analizë, agjencia e lajmeve, “Associated Press”, ka shtjelluar vitet e ngritjes dhe rënies së Milorad Dodikut.
Këtë javë, udhëheqësi politik serb i Bosnjës, tani një separatist mohues i gjenocidit, u godit me sanksione të reja të SHBA-së për korrupsion.
Ai u përgjigj në stilin tipik, duke thënë se moti kanë ikur ditët kur Shtetet e Bashkuara dhe demokracitë e tjera perëndimore “modeluan Bosnjën sipas shijes së tyre”.
Akuzat se grumbulloi në mënyrë korruptuese një pasuri të madhe për veten, të afërmit dhe bashkëpunëtorët e tij, janë "gënjeshtra monstruoze", tha Dodik.
Dodiku insiston në atë se Perëndimi po e ndëshkon për mbrojtjen e të drejtave të serbëve etnikë në Bosnjë – një vend jofunksional prej 3.3 milionë banorësh që nuk u rikuperua kurrë nga një luftë vëllavrasëse në vitet 1990, e cila u bë një emër për spastrim etnik dhe gjenocid.
Sanksionet, u mburr Dodiku, thjesht do t'i ndihmojnë serbët të çlirohen nga Bosnja në përqafimin e etur të "miqve të tyre të vërtetë" - Rusisë, Kinës, kampionëve të demokracisë joliberale brenda Bashkimit Evropian dhe Serbisë fqinje.
I diplomuari 63-vjeçar i shkencave politike u bë i njohur për herë të parë më 1998, si një reformist i moderuar, i zgjedhur kryeministër rajonal i Republika Srpska, një nga dy njësitë administrative të Bosnjës së pasluftës.
Mirëpo, Dodiku rregullisht ka minimizuar masakrën e vitit 1995, nga serbët e Bosnjës, të mbi 8,000 burrave dhe djemve boshnjakë në enklavën lindore të Srebrenicës, madje duke e hedhur poshtë atë si "një mit të sajuar".
Në muajt e fundit ai ka shprehur vazhdimisht shpresën se presidenti i Rusisë Vladimir Putin dhe kryeministri populist i Hungarisë Viktor Orban do të shërbejnë si mburoja e tij kundër “tiranisë” së demokracive perëndimore.
Në vitin 2001, pas humbjes së zgjedhjeve presidenciale në Republika Srpska, Dodik ndryshoi kurs, duke e riformuar veten si një nacionalist i vijës së ashpër dhe separatist.
Vlera neto e familjes së tij është e vështirë të vlerësohet, por në vitin 2019, Dodik raportoi të ardhura vjetore dhe asete me vlerë mbi 1.2 milionë euro, duke përfshirë një vilë 800,000 euro në kryeqytetin e Serbisë, Beograd.
Në dimër, Dodiku intensifikoi fushatën e tij separatiste duke premtuar se do ta formojë një ushtri, gjyqësor dhe sistem taksash ekskluzivisht serbe. Ai i përshkroi boshnjakët si “njerëz të dorës së dytë” dhe “tradhtarë të konvertuar” që shitën “origjinën e tyre për darkë”.
Zyrtarë amerikanë, britanikë, gjermanë dhe të tjerë perëndimorë kanë filluar ta akuzojnë Dodikun për nxitje të tensioneve etnike për shpërqendrim nga praktikat korruptive të tij dhe miqve të tij.
Mirëpo ai thotë se sanksionet nuk do ta dekurajojnë atë nga “lufta për të drejtat e Republikës Srpska”.