Botë

Kaos në aeroportin e Manchesterit, ndërpritet energjia elektrike

Aeroporti i Manchesterit

Aeroporti i Manchesterit

Pasagjerëve u është kërkuar të qëndrojnë larg aeroportit të Manchesterit pasi një ndërprerje "e madhe" e energjisë elektrike po pengon një numër të konsiderueshëm fluturimesh.

Paralajmërimi për ata që udhëtojnë nëpër Terminalet 1 dhe 2 vjen pas ndërprerjes së energjisë në orët e para të së dielës, duke prekur bagazhet dhe sistemet e sigurisë, raporton BBC.

Brenda aeroportit janë krijuar radhë të mëdha njerëzish, ku një numër fluturimesh janë anuluar, me ndërprerje të mëtejshme që priten gjatë ditës, teksa disa fluturime që mbërrijnë janë devijuar drejt aeroporteve të tjera.

Pasagjerët që fluturojnë përmes Terminalit 3 duhet të shkojnë në aeroport si zakonisht, por mund të përballen me vonesa, ka bërë të ditur një zëdhënës i aeroportit.

Sistemet e energjisë rezervë janë ndezur kur sistemi kryesor ra nga funksioni, por situata u ndërlikua nga ndërprerja e energjisë elektrike disa herë.

Linjat ajrore kanë thënë se problemet me përpunimin e bagazheve nënkuptonin që klientët mund të hipnin vetëm me një çantë kabine.

Në një deklaratë, “Jet2” ka thënë se nuk kishin qenë në gjendje të ngarkonin çantat në aeroplanë për shkak të ndërprerjes.

Edhe një zëdhënës i “Easyjet” ka thënë se pasagjerët mund të hipnin në fluturimin e tyre vetëm me një çantë kabine për shkak të problemeve me sistemin e bagazheve.

Ndërprerja vjen në fillim të sezonit të pushimeve verore në aeroportin e tretë më të ngarkuar në Mbretërinë e Bashkuar, i cili u ka kërkuar falje pasagjerëve.