Botë

Kaos me trenat në Francë, rrjeti hekurudhor bëhet cak i vandalizmit

Paris

Linjat e trenave në Paris janë vandalizuar përmes një seri veprimesh të koordinuara që ka çuar në ndërprerje të mëdha të qarkullimit të trenave para ceremonisë hapëse të Lojërave Olimpike.

Operatori hekurudhor ka thënë se zjarrvënës kanë shënjestruar instalimet përgjatë linjave që lidhin Parisin me perëndimin, veriun dhe lindjen e vendit dhe se trafiku do të ndërpritet gjatë fundjavës.

“Mbrëmë, SNCF (kompania shtetërore e hekurudhave) ishte viktimë e disa akteve të vandalizmit në në linjat e shpejtësisë së lartë. Zjarret janë vënë qëllimshëm për të dëmtuar instalimet tona”, ka njoftuar SNCF.  

Agjencia e lajmeve “AFP” ka raportuar nga burime se sulmet me zjarrvënie ishin akte “sabotimi”.

Pasagjerëve u është bërë thirrje që t’i shtyjnë udhëtimet dhe të mos shkojnë në stacionet e trenave.

SNCF ka thënë se 800,000 persona janë prekur nga kjo.