Botë

Kandidati për kancelar të Gjermanisë s’do t’i plotësojë kërkesat e Trumpit për NATO-n

Friedrich Merz

Friedrich Merz

Foto: Associated Press

Udhëheqësi i opozitës gjermane, Friedrich Merz, i cili po shihet si kancelar i mundshëm i Gjermanisë nga zgjedhjet e muajit të ardhshëm, ka thënë se Gjermania do të shpenzojë më shumë për mbrojtjen, por nuk do të angazhohet për të arritur objektivin e shpenzimeve ashtu siç ka kërkuar presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump.

"Së pari duhet të arrijmë kufirin më të ulët prej 2% në Gjermani. Nuk jemi ende atje”, i ka thënë Merz transmetuesit “Bayerischer Rundfunk” të mërkurën, në përgjigje të thirrjes së Trumpit që anëtarët e NATO-s të shpenzojnë 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, për mbrojtje.

"2, 3 ose 5% janë në thelb të parëndësishme, faktori vendimtar është që ne të bëjmë atë që është e nevojshme për të mbrojtur veten”, ka thënë Merz, kreu i opozitës Demokristiane, dhe i favorizuar për të pasuar Olaf Scholzin, raporton Reuters.

Trumpi është ankuar shpesh se shumica e anëtarëve të NATO-s nuk po paguajnë pjesën e tyre për mbrojtje, duke kërkuar gjatë fushatës për zgjedhjet në SHBA një rritje të kontributeve të mbrojtjes së NATO-s. 

NATO-ja ka vlerësuar se 23 nga 32 anëtarët e saj do të përmbushnin objektivin e saj për të shpenzuar 2% të PBB-së në vitin 2024.

Presioni nga Trumpi dhe një Rusi gjithnjë e më agresive, i kanë bërë shpenzimet e mbrojtjes një çështje të rëndësishme të fushatës përpara zgjedhjeve parlamentare në Gjermani, të caktuara për 23 shkurt, rreth një muaj pasi Trumpi merr detyrën.

Merzi ka thënë se Gjermania mund të mbulojë rritjet e ardhshme të shpenzimeve të mbrojtjes pa një fond të posaçëm, teksa ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck, i cili është kandidati për kancelar i të Gjelbërve, ka thënë javën e kaluar se Gjermania duhet të synojë një objektiv prej 3.5%.