Botë

Kandidatët për president të KE-së hedhin akuza mbi Von der Leyenin

Ursula von der Leyen - BE-ja - Komisioni Evropian

Foto: Associated Press

Kandidatët kryesorë për postin e presidentit të Komisionit Evropian janë përballur me njëri-tjetrin të hënën në debatin e parë përpara zgjedhjeve evropiane të qershorit.

Në një debat publik në Maastricht në Holandë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe shtatë kandidatë nga i gjithë spektri politik evropianë kanë shpalosur agjendat e tyre të politikave për çështjet si ndryshimet klimatike, siguria, ekonomia dhe demokracia.

Presidentja aktuale e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila kandidon për një mandat të dytë, ka qenë objektivi i disa kandidatëve, të cilët e kanë akuzuar atë për arritje të pamjaftueshme gjatë mandatit të saj të parë.

Goditja e parë erdhi nga kandidati i ekstremit të djathtë i Partisë së Identitetit dhe Demokracisë, Anders Vistisen, i cili u zotua se do të shkarkojë von der Leyen nëse grupi i tij fiton zgjedhjet.

Von der Leyen u vu nën presion edhe për “Pfizergate”, pas akuzave për mostransparencë dhe fshehjes së mesazheve mes saj dhe gjigantit farmaceutik “Pfizer” në kohën e pandemisë, kur Komisioni Evropian siguroi vaksinat. 

Von der Leyen gjithashtu ka refuzuar të thotë zyrtarisht se s’do të bashkohet me Konservatorët dhe Reformistët Evropianë (ECR), në të cilin grup ka disa parti të ekstremit të djathtë, si Fratelli d'Italia në Itali, Vox në Spanjë dhe Reconquete në Francë, për ta formuar shumicën në Parlamentin Evropian.
Nuk ka asnjë rregull zyrtar që thotë se presidenti i ardhshëm i Komisionit Evropian duhet të zgjidhet nga kandidatët e emëruar nga grupet e tyre politike. 

Pas zgjedhjeve, shtetet anëtare pritet të dalin me një emër nga grupi politik që ka mbledhur më shumë vota dhe do ta propozojnë atë person si presidentin e ardhshëm të Komisionit Evropian.

Parlamenti Evropian duhet ta pranojë personin e propozuar përmes votimit.

Midis 6 dhe 9 qershorit, mbi 370 milionë qytetarë të Bashkimit Evropian nga 27 vende, do të marrin pjesë në procesin e votimit për zgjedhjen e 720 anëtarëve të Parlamentit Evropian.