“Besoj se akuzat që janë ngritur (kundër Kurzit) janë të pavërteta dhe jam i bindur se në fund të ditës do të dalë se nuk ka pasur gjë prej tyre”, ka thënë Schallenberg, diplomat i karrierës që u bë aleat i afërt i Kurzit. “Do të punoj shumë ngushtë... me Sebastian Kurzin”, ka shtuar ai në deklarimin e parë publik, pasi që e mori detyrën
Kancelari i ri i Austrisë, Alexander Schallenberg, është zotuar të hënën që të punojë ngushtësisht me pararendësin e tij Sebastian Kurz, i cili ka dhënë dorëheqje pasi që është akuzuar për korrupsion, duke e nxitur opozitën që të vlerësojë se lideri i ri është thjesht “një kukull” e ish-kancelarit.
Të Gjelbrit, partnerë të vegjël të koalicionit qeverisës, kishin kërkuar largimin e Kurzit, pasi që ai dhe nëntë pjesëtarë të partisë konservatore, përfshirë ndihmësit e tij të lartë, janë vënë nën hetime javën e shkuar lidhur me dyshimet për shkelje të besimit, korrupsion dhe ryshfet.
Kurzi, i cili i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat, ka qenë lider i pakontestueshëm i partisë së tij deri më tani dhe e vazhdon rolin shtesë si ligjvënësi kryesor partiak në Parlament. Kundërshtarët e tij politikë, me të cilët ka folur agjencia e lajmeve Reuters, kanë pretenduar se ai do të vazhdojë që t’i kontrollojë politikat vendore nga kjo pozitë dhe të veprojë si “një kancelar nën hije”.
“Besoj se akuzat që janë ngritur (kundër Kurzit) janë të pavërteta dhe jam i bindur se në fund të ditës do të dalë se nuk ka pasur gjë prej tyre”, ka thënë Schallenberg, diplomat i karrierës që u bë aleat i afërt i Kurzit. “Do të punoj shumë ngushtë... me Sebastian Kurzin”, ka shtuar ai në deklarimin e parë publik, pasi që e mori detyrën, ka raportuar Reutersi.
“Përshtypje e imja është se ai synon që ta bëjë pikërisht këtë: të kthehet në punë si zakonisht dhe të veprojë sikurse asgjë nuk ka ndodhur”, ka thënë lideri i partisë liberale Neos, Beate Meinl-Reisinger, duke i bërë thirrje Schallenbergut për luftë aktive kundër korrupsionit.
Ndërkaq kundër këtyre akuzave të opozitës Kurzi është kundërpërgjigjur menjëherë.
“Nuk jam kancelar nën hije”, ka shkruar ai në Twitter, duke u zotuar që ta mbështesë Qeverinë në punën e saj.
Prokurorët antikorrupsion kanë ngritur dyshimet se zyrtarët konservatorë në Ministrinë e Financave kanë përdorur fonde shtetërore për t’i manipuluar anketat dhe për të garantuar mbulim të favorshëm për Kurzin në një gazetë të vendit gjatë 2016-s, kohë kjo kur Kurzi po e synonte udhëheqjen e partisë. Në këtë përpjekje ai ngadhënjeu dhe i fitoi zgjedhjet parlamentare të vitit pasues me premtimin për të marrë qëndrim më të sertë kundër emigracionit, ka shkruar Reutersi.
Kritikët e akuzojnë Kurzin për mbikëqyrjen e një sistemi apo rrjeti që ka shpërfillur rregullat për çështjet si financimi i partisë dhe emërimet në postet shtetërore, në përpjekjen për fuqizimin e tij dhe të aleatëve. Kurz, i cili është nën hetime edhe për një rast tjetër ligjor, thotë se të gjitha akuzat janë të pavërteta.
“Të gjitha partitë opozitare pajtohen se nuk ka ndryshim në sistemin e Kurzit. Ai ende i mban të gjithë penjtë në duart e tij dhe kancelari i ri Schallenberg është pjesë e këtij sistemi të Kurzit”, ka thënë Kai Jan Krainer nga radhët e socialdemokratëve, i cili ishte pjesë e hetimit të Komisionit Parlamentar që i mbikëqyri hetimet rreth akuzave të mundshme për korrupsion nën qeverisjen e mëhershme të Kurzit.
Gjatë betimit të Schallenvergut, presidenti Alexander Van der Bellen ka thënë se besimi i publikut në institucionet politike është dëmtuar rëndë nga hetimet dhe nga mesazhet telefonike, që duket se shpërfaqin se si Kurzi dhe aleatët e tij kanë vepruar në mënyrë cinike prapa skenës.
“Qeveria e riaranzhuar tani e ka përgjegjësinë e madhe jo vetëm për t’i vazhduar me sukses projektet e kësaj qeverie, por edhe përgjegjësinë për ta ringjallur besimin e publikut në politikë”, ka thënë Van der Belleni në fjalimin e tij.
Në disa shkëmbime mesazhesh telefonike, të cilat janë raportuar në mediat austriake, Kurzi e quan një rival të tijin si “bythë”. Gjatë fjalimit të dorëheqjes të shtunën, ai ka thënë se është penduar për gjuhën e përdorur në disa prej mesazheve.