Botë

Kanali i Panamasë nuk është një "dhuratë" nga SHBA-ja, thotë presidenti i Panamasë

Jose Raul Mulino

Foto: Associated Press

Panamaja i është kundërpërgjigjur kërcënimeve të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për të "rikthyer" Kanalin e Panamasë, një rrugë kryesore tregtare.

"Kanali i Panamasë nuk ishte një koncesion apo një dhuratë nga Shtetet e Bashkuara", ka deklaruar presidenti i Panamasë, Jose Raul Mulino, në një panel në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, raporton BBC.

Në fjalimin e tij inaugurues, Trumpi ka thënë se Panamaja kishte "thyer" një premtim për të qëndruar neutral, duke pretenduar se "Kina po operon Kanalin e Panamasë". Trumpi ka thënë gjithashtu se "anijet amerikane po ngarkohen rëndë dhe nuk trajtohen në mënyrë të drejtë".

Kanali është një nga rrugët më të rëndësishme tregtare për SHBA-në. Rreth 5% e tregtisë detare globale kalon përmes Kanalit të Panamasë i cili është i gjatë 82 km.

Mulino thotë se pretendimet e Trumpit për kanalin janë "të rreme", duke shtuar se ai i përket popullit të Panamasë.