Në masë të madhe janë vajzat e reja ato që i dëshirojnë ndërhyrjet plastike në Kinë. 80 për qind e pacientëve janë gra, ndërkaq mosha mesatare është 25. Pamja e jashtme ka qenë gjithmonë element i rëndësishëm në kulturën kineze, veçanërisht për gratë, mirëpo standardet e bukurisë po ndryshojnë vazhdimisht. Krahas kërkesës masive për ndërhyrje janë hapur një numër i madh klinikash të palicencuara, të cilat e kanë komplikuar më tutje situatën. Bazuar në raportin e “iResearch”, kompani kërkimore e marketingut, në vitin 2019 rreth 80.000 klinika në Kinë ishin duke ofruar shërbime për kirurgji plastike pa licencë, kurse 100.000 kirurgë plastikë po punonin pa kualifikimet e duhura.
Abby Wu ishte vetëm 14-vjeçe kur kreu operacionin e parë plastik. Pasi që filloi terapinë e hormoneve për trajtimin e një sëmundjeje, pesha e Abbyt u rrit nga 42 kilogramë në 62 kilogramë në 2 muaj.
Mundësia nuk u la të shpërdorohej nga mësuesja e saj e dramës.
“Mësuesja ime më tha ‘ti ishte ylli ynë, por tani je në mbipeshë. Ose hiq dorë, ose humb peshë sa më shpejt’”, ka rikujtuar Abby fjalët e mësueses. Atëkohë Abby po përgatitej për provimet e lëndës së dramës asokohe.
Nëna e Abbyt ndërhyri, duke e çuar atë në një klinikë për të hequr dhjamin nga barku dhe këmbët.
Abby rikujton fjalët e nënës së saj, teksa priste në klinikë e stresuar për operacionin.
“Bëhu e guximshme dhe hyr brenda. Do të bëhesh e bukur pasi të dalësh nga salla”.
Operacioni ishte traumatik. Abbyt i ishte dhënë vetëm anestezi e pjesshme teksa ishte e vetëdijshme gjatë gjithë kohës.
“Mund ta shihja sa shumë dhjam po largohej nga trupi im dhe njëkohësisht sa shumë gjak po humbisja”, ka thënë ajo.
Tani 35-vjeç, Abby ka pasur mbi 100 ndërhyrje, që në total i kanë kushtuar gjysmë milioni dollarë.
Ajo është bashkëpronare e një klinike të bukurisë në qendër të Pekinit dhe është kthyer në njërin prej personazheve më të njohura sa i përket trendit të operacioneve plastike.
Mirëpo operacionet kanë prodhuar pasoja shëndetësore.
Tek është ulur para pasqyrës në apartamentin e saj luksoz në Pekin, ajo vendos me delikatesë një korrektor mbi mavijosjet nga injeksioni i fundit për dobësimin e fytyrës – procedurë të cilën e kryen në baza mujore për t’i mundësuar fytyrës të duket “më e fortë dhe më pak topolake”, pas largimit të disa kockave në nofull si pasojë e disa ndërhyrjeve.
Megjithatë, ajo këmbëngul se nuk pendohet për operacionet dhe beson që nëna e saj kishte marrë vendimin e duhur asokohe.
“Operacioni funksionoi. Fitova vetëbesim dhe u bëra më e lumtur, ditë pas dite. Mendoj se nëna ime mori vendimin e duhur”, ka thënë Abby.
Operacionet plastike, që dikur konsideroheshin tabu, janë popullarizuar tej mase gjatë 20 vjetëve të fundit në Kinë, ndryshim ky i madh shoqëror i nxitur kryesisht nga rrjetet sociale.
Për çdo vit 20 milionë kinezë paguajnë për operacione plastike.
Në masë të madhe janë vajzat e reja që i dëshirojnë ndërhyrjet. 80 për qind e pacientëve janë gra, ndërkaq mosha mesatare është 25.
Pamja e jashtme ka qenë gjithmonë element i rëndësishëm në kulturën kineze, veçanërisht për gratë, mirëpo standardet e bukurisë po ndryshojnë vazhdimisht.
Për vite me radhë tiparet më të kërkuara ishin gërshetim i idealeve perëndimore, fantazive të “anime” (filma të animuar japonezë v.j.) dhe frymëzimit prej zhanrit të K-Pop: Qepalla e dyfishtë, nofulla e skalitur, hunda e spikatur dhe fytyra simetrike.
Së fundmi procedurat më shqetësuese janë në rritje e sipër – duke ndjekur ideale jorealiste dhe stërfeminine.
Botoksi tanimë injektohet prapa veshëve për t’i shtyrë ata përpara, duke krijuar iluzionin e një fytyre më të vogël dhe elegante.
Ndërhyrjet në pjesën e poshtme të qepallës, të frymëzuara nga vështrimi i personazheve të “anime”, zgjeron sytë për një pamje të pafajshme dhe fëmijërore.

Shkurtimet në pjesën e sipërme të buzës ngushtojnë hapësirën midis buzës dhe hundës për t’u dukur më i ri.
Mirëpo kjo bukuri ndërtohet për ekrane. Nën efektin e “filtrave” dhe dritave të skenës, rezultati mund të duket magjepsës. Në jetën reale, efekti është shpeshherë i çuditshëm – një fytyrë jonjerëzore, jo aq fëmijërore.
Aplikacionet e operacioneve plastike sikurse “SoYoung” dhe “GengMei” – që pretendojnë se ofrojnë algoritme të gjeneruara nga analiza mbi “joperfeksionet e fytyrës” – janë popullarizuar skajshmërisht.
Pas skanimit dhe vlerësimit të fytyrës së përdoruesit, këto aplikacione rekomandojnë ndërhyrje në klinikat më të afërta, duke marrë përqindje prej secilës ndërhyrje.
Këta dhe trendë të tjerë të bukurisë shpërndahen dhe promovohen nga të famshmit dhe influencerët në rrjetet sociale, duke e ndryshuar në vazhdimësi atë që konsiderohet normale dhe e dëshirueshme.
Si njëra prej influencereve të para në Kinë, Abby ka dokumentuar procedurat e saj në disa platforma të mëdha sociale dhe i është bashkuar aplikacionit “SoYoung” menjëherë pas lansimit.
Pavarësisht se u është nënshtruar rreth 100 ndërhyrjeve, kur ajo skanon fytyrën e saj në veçorinë “pasqyra magjike” të “SoYoung”, aplikacioni vazhdon të nënvizojë “joperfeksionet” dhe i rekomandon një listë të gjatë të ndërhyrjeve.
“Thotë se kam rrathë të errët poshtë syve. Bëj një zmadhim të mjekrës? Unë veçse e kam bërë këtë”, ka thënë ajo.
Abby duket e kënaqur.
“Hollim i hundës? A duhet t’i nënshtrohem edhe një operacioni në hundë?”, ka shtuar Abby.
Përkundër faqeve tipike komerciale në internet, aplikacionet e bukurisë si “SoYoung” gjithashtu kanë një funksion. Përdoruesit ndajnë ditarë të detajuar para dhe pas, dhe zakonisht pyesin superpërdoruesit sikurse Abby për këshillat e tyre.
“E ndieja sikur kisha çimento nën lëkurë”
Për të realizuar kërkesat gjithmonë e në rritje, klinikat e reja po hapen me shpejtësi në mbarë Kinën.
Megjithatë, ka mungesë të kirurgëve të kualifikuar dhe një numër i madh i këtyre klinikave operojnë pa licencë.
Bazuar në raportin e “iResearch”, kompani kërkimore e marketingut, në vitin 2019, rreth 80.000 klinika në Kinë ishin duke ofruar operacione plastike pa licencë, kurse 100.000 kirurgë plastikë po punonin pa kualifikimet e duhura.
Si rezultat vlerësohet se qindra gabime ndodhin në baza ditore brenda klinikave plastike në Kinë.
Doktori Yang Lu, kirurg plastik dhe pronar i një klinike plastike të licencuar në Shangai, ka thënë se numri i njerëzve që vijnë për të riparuar dëmet e shkaktuara nga operacionet e dështuara është rritur.
“Kam parë shumë pacientë, operacioni i parë i të cilëve kishte dështuar për shkak se kishin shkuar në vende të palicencuara”, ka thënë Yang.
“Madje disa prej tyre u ishin nënshtruar ndërhyrjeve brenda shtëpive”, ka shtuar ai.
Yue Yue, 28-vjeçare, është në mesin e atyre që kishin hasur në dështime gjatë ndërhyrjeve në këto klinika.
Në vitin 2020, ajo mori injeksione kolagjeni - të dizajnuara për ta bërë fytyrën të duket më e shëndoshë - në një klinikë të palicencuar, të hapur nga miku i saj i ngushtë. Por mbushësit u ngurtësuan.
“E ndieja sikur kisha çimento nën lëkurë”, ka thënë ajo.
E dëshpëruar për të riparuar dëmet, Yue Yue iu kthye disa klinikave që i gjeti përmes rrjeteve sociale – emra të mirënjohur – por ndërhyrjet pasuese veçse e përkeqësuan gjendjen.
Një klinikë u përpoq të largonte mbushësin duke përdorur shiringa. Në vend që të hiqnin materialin e ngurtësuar, lëkura e saj u përkeqësua.
Një tjetër klinikë u përpoq të ngrinte lëkurën pranë veshëve të saj për ta çuar mbushësin poshtë, duke e lënë atë me dy plagë të gjata dhe një fytyrë që dukej e shtrënguar në mënyrë të panatyrshme.
“Humba shkëlqimin si dhe ka ndikuar në punën time (burime njerëzore për një kompani të huaj në Shangai v.j.) po ashtu”, ka thënë ajo.
Ajo ra në kontakt me doktor Yangun përmes “SoYoung” vitin e kaluar dhe që nga atëherë u është nënshtruar tri operacioneve riparuese, përfshirë një operacion në qepallat e saj, të cilat ishin dëmtuar si pasojë e ndërhyrjeve të mëparshme.
Teksa operacionet te doktor Yangu kanë sjellë përmirësime të dukshme, disa nga dëmet mund të jenë të përhershme.
“Nuk dua që të bëhem e bukur më”, ka thënë ajo.
“Nëse do të mund të kthehesha se si jam dukur para operacionit, do të isha mjaft e lumtur”, ka shtuar Yue Yue.
“Ma ka shkatërruar karrierën”
Për çdo vit dhjetëra mijëra gra si Yue Yue janë viktima të klinikave plastike të palicencuara në Kinë.
Megjithatë, edhe disa prej klinikave të licencuara dhe kirurgët e kualifikuar nuk po luajnë në bazë të rregullave.
Në vitin 2020, ndërhyrja e dështuar në hundë e aktores Gao Liu – si pasojë e së cilës maja e saj e hundës u nxi dhe u paralizua - u bë virale.
“Fytyra ime u shëmtua dhe unë u ndjeva shumë keq. Më shkatërroi karrierën në aktrim”, ka thënë Liu.
Ajo u ishte nënshtruar ndërhyrjes në hundë në klinikën e doktorit He Ming, i cili njëherazi vlerësohej si “shefi i kirurgëve” dhe ekspert në operacionet e hundës.
Por në realitet, He Ming nuk ishte plotësisht i kualifikuar për të realizuar operacionin pa mbikëqyrje dhe nuk kishte marrë statusin e tij të licencuar të kirurgut plastik nga Komisioni Shëndetësor i Provincës së Guangdongut.
Autoritetet gjobitën klinikën, e cila u mbyll menjëherë pas skandalit, si dhe e ndaluan Mingun që të ushtronte profesionin për 6 muaj.
Megjithatë, disa javë pas mbylljes së klinikës, një klinikë e re, “Qingya”, bëri kërkesë të regjistrohet në të njëjtën adresë.
“BBC Eye” ka zbuluar lidhje të forta midis klinikës së Mingut dhe “Qingyas”, siç është e njëjta llogari në Weibo dhe anëtarët e stafit.
BBC-ja ka mësuar gjithashtu se doktori He Ming kishte siguruar kualifikimin për licencë të kirurgut plastik në prill të vitit 2024, ndonëse kishte ndalesë 5-vjeçare për të mos aplikuar që prej kohës kur ishte dënuar në vitin 2021.
“Qingya” tanimë pretendon se ka hapur rreth 30 degë.
He Ming, “Qingya” dhe Komisioni Shëndetësor i Provincës së Guangdongut nuk u janë përgjigjur kërkesave të BBC-së për komente.
Ambasada e Kinës në Britaninë e Madhe ka thënë se “Qeveria kineze në mënyrë të vazhdueshme iu kërkon ndërmarrjeve të operojnë në përputhje me ligjet kombëtare, rregullativat dhe politikat relevante.
Katër vjet dhe dy operacione riparuese më vonë, hunda e Gao Liu vazhdon të mbetet në gjendje jo të mirë.
“Me të vërtetë pendohem. Pse e bëra këtë?”, ka thënë ajo.
Në vitet e fundit Komisioni Qendror i Shëndetësisë në Kinë ka tentuar të adresojë problematikën e kirurgëve të nënkualifikuar që kryejnë ndërhyrje përtej ekspertizës – përfshirë këtu urdhrat ndaj organeve lokale shëndetësore për të përmirësuar rregullativat dhe vendosjen e udhëzimeve më të rrepta – megjithatë problemet vazhdojnë.

Nga oferta e punës te borxhi dhe operacioni – brenda 24 orëve
Në Kinën e sotme pamja e jashtme është shumë e rëndësishme për suksesin profesional.
Një kërkim i shpejtë në platformat popullore të rekrutimit tregon shumë shembuj të punëdhënësve që përfshijnë kërkesa fizike për vendet e punës, ndonëse ato kanë pak lidhje me vetë punën.
Një pozitë si recepsioniste kërkon që kandidatet të jenë “të paktën 160 cm të gjata dhe estetikisht të këndshme”, ndërsa punët administrative kërkojnë “pamje tërheqëse dhe prezencë elegante”.
Dhe tani ky presion po shfrytëzohet nga një mashtrim në rritje në disa klinika kineze, ku vajzave të reja dhe të pambrojtura u ofrohen vende pune, por vetëm nëse paguajnë për ndërhyrje kirurgjike të shtrenjta të kryera nga punëdhënësit e tyre të ardhshëm.
Da Lan, emër i ndryshuar për të ruajtur anonimitetin, aplikoi për një pozitë si “konsulente bukurie” në një klinikë në Chengdu, në jugperëndim të Kinës, në mars të vitit 2024, përmes një faqeje të njohur për punësim.
Pas intervistës, ajo ka thënë se iu ofrua pozita po atë mbrëmje.
Por, sipas saj, kur nisi punën mëngjesin tjetër, menaxherja e saj e çoi në një dhomë të vogël, e shikoi nga koka te këmbët dhe i dha një ultimatum – ose do bënte ndërhyrje estetike, ose do ta humbte vendin e punës.
Da Lan ka thënë se iu dhanë më pak se një orë për të vendosur.
Nën presion, ajo pranoi të bënte një operacion për formimin e kapakëve të dyfishtë të syve – me çmim mbi 13.000 juanë (rreth 1.330 funte) – më shumë se trefishi i pagës mujore të saj aty.
Ajo ka shtuar se stafi ia mori telefonin dhe e përdori për të aplikuar në të ashtuquajturin “kredi bukurie”, duke falsifikuar të dhënat e të ardhurave të saj. Brenda një minute kredia u miratua.
Drejt mesditës ajo iu nënshtrua analizave mjekësore. Një orë më vonë ndodhej në sallën e operacionit.
Nga oferta e punës te borxhi dhe operacioni – të gjitha brenda 24 orëve.