Kremlini ka dalë me deklarata pas përfundimit të telefonatës ndërmjet presidentit amerikan, Donald Trump, dhe presidentit rus, Vladimir Putin, ku tema kyçe ka qenë Ukraina, dhe se ka pajtim për shkëmbimin e 175 të burgosurve të luftës midis Ukrainës dhe Rusisë, raporton Reuters.
Këto raportime të hershme kanë thënë se të dy liderët janë pajtuar “për krijimin e grupeve të ekspertëve sa i përket çëshjtes së Ukrainës”, në mënyrë që të punohet më tutje.
Gjithashtu pretendohet se është diskutuar edhe për rajonin e Lindjes së Mesme, dhe energjinë.
Përfundon biseda mes Trumpit dhe Putinit
Ka përfunduar biseda telefonike mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe presidentit rus, Vladimir Putin, ka bërë të ditur një person i njohur me bisedën.
Trumpi dhe Putini kanë diskutuar për më shumë se një orë, kryesisht për Ukrainën dhe përfundimin e luftës.
Nuk dihet nëse Trumpi ose Shtëpia e Bardhë do të dalin me njoftim lidhur me atë se çka është diskutuar ndërmjet dy liderëve.
Ka nisur biseda telefonike mes Trumpit dhe Putinit
Telefonata e presidentit amerikan, Donald Trump me presidentin rus, Vladimir Putin është duke u zhvilluar, sipas zëvendësshefit të shtabit të Shtëpisë së Bardhë, Dan Scavino.
"Po ndodh tani – presidenti Trump është aktualisht në Zyrën Ovale duke folur me presidentin, Vladimir Putin të Rusisë që nga ora 10:00 e mëngjesit. Thirrja po shkon mirë dhe është ende në progres”, ka shkruar ai në mediat sociale.
Trumpi dhe Putini do të diskutojnë kryesisht për fundin e luftës në Ukrainë.
Kjo është hera e dytë që dy presidentët zhvillojnë bisedë telefonike që kur Trumpi është rikthyer për mandatin e dytë në Shtëpinë e Bardhë.
Rusia e Ukraina akuzojnë njëra-tjetrën për sulme, gjersa Trump e Putin biseduan
Autoritetet ruse dhe ato ukrainase kanë akuzuar njëra-tjetrën, në atë që po vlerësohet si përpjekje për të realizuar sulme duke kaluar kufirin që i ndan dy vendet të martën, me secilën nga autoritetet që pretendojnë se kanë parandaluar sulmet e planifikuara, shkruan agjencia Reuters.
Të dyja palët kanë thënë se janë në kontroll të plotë të territorit në anën e tyre të kufirit dhe kanë shkaktuar humbje në jetët e trupave armike.
Ministria e Mbrojtjes së Rusisë, në një deklaratë të raportuar nga agjencitë e lajmeve ruse, ka thënë se forcat ruse ia kanë arritur të ndalin pesë përpjekje të Ushtrisë ukrainase për t’u futur në rajonin juglindor të Belgorodit.
Deklarata e ministrisë së Mbrojtjes ka vlerësuar se sulmet kishin për qëllim ndërprerjen e bisedimeve në mes të liderit rus, Vladimir Putin, dhe homologut të tij amerikan, Donald Trump, bisedë e cila ka pasur si temë qendrore arritjen e marrëveshjes që i jep fund luftës trevjeçare.
Në anën tjetër, ushtria e Ukrainës ka thënë se forcat e saj kanë “ndaluar me sukses të gjitha përpjekjet e okupatorit për të fituar terren” brenda rajonit Sumy.
Mijëra ushtarë ukrainas kapën rreth 1,300 km katrorë të rajonit të Kurskut të Rusisë në gusht të vitit të kaluar. Megjithatë, kundërofensiva ruse ka rikuperuar shumicën e territoreve të humbura në Kursk gjatë javës së fundit.
Zelensky përkrah armëpushimin e kufizuar mbi infrastrukturën energjetike
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka folur nga Finlanda të martën në lidhje me bisedën telefonike në mes të presidentit rus, Vladimir Putin, dhe presidentit amerikan, Donald Trump, raporton BBC.
Lideri ukrainas ka thënë se e përkrah propozimin 30-ditor për armëpushimin mbi infrastrukturën energjetike, por që sipas tij duhen më shumë “detaje”.
“Ne gjithmonë e kemi përkrahur idenë për të mos sulmuar infrastrukturën energjetike me asnjë lloj arme”, ka thënë Zelensky para mediave në Helsinki.
Megjithatë, Zelensky ka shtuar se kushtet e Putinit rreth paqes, tregojnë se Rusia s’është gati t’i japë fund luftës plotësisht.
Trump: Biseda me Putinin ishte shumë e mirë dhe produktive
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë të martën se biseda e tij telefonike me presidentin rus, Vladimir Putinin, ishte “shumë e mirë dhe produktive” dhe se dakordimi që Rusia të ndalojë sulmet mbi infrastrukturën energjitike ishte arritur me kuptimin e përbashkët që do të punohet së shpejti drejt një armëpushimi të plotë.
“U diskutuan shumë elemente të një kontrate për paqe. Ky proces ka hyrë në fuqi, dhe shpresojmë, për hir të njerëzimit, se do ta mbyllim këtë punë!”, ka thënë Trumpi përmes një postimi në rrjetin social Truth Social.
Shkrimi i plotë i Trumpit në platformën Truth Social:
“Biseda ime telefonike sot me presidentin Putin të Rusisë ishte shumë e mirë dhe produktive. Ne u pajtuam për një armëpushim të menjëhershëm mbi infrastrukturën energjitike, me një kuptim të përbashkët se do të punojmë shpejtë në drejtim të armëpushimit të plotë, dhe, përfundimisht, një fund të kësaj lufte shumë të tmerrshme midis Rusisë dhe Ukrainës. Kjo luftë nuk do të fillonte kurrë nëse unë do të isha president! U diskutuan shumë elemente të një kontrate për paqe, duke përfshirë faktin se mijëra ushtarë po vriten, dhe që të dy, presidenti Putin dhe presidenti Zelensky do të donin të shihnin që të përfundonte. Ky proces tani ka hyrë në fuqi dhe shpresojmë, për hir të njerëzimit, se mbyllim këtë punë!”, ka thënë presidenti amerikan.
Trumpi dhe Putini pajtohen për t'i nisur menjëherë negociatat e armëpushimit në Ukrainë
Rusia ka rënë dakord për një armëpushim të kufizuar mbi caqet energjetike dhe ato të infrastrukturës në Ukrainë, si pjesë e nismës së udhëhequr nga SHBA-ja për t'i dhënë fund pushtimit rus të Ukrainës, ka konfirmuar Shtëpia e Bardhë të martën pasdite.
Në një deklaratë të lëshuar pas telefonatës së Donald Trumpit me homologun e tij rus, Vladimir Putin, Shtëpia e Bardhë ka thënë se të dy palët kanë rënë dakord të zhvillonin "negociata teknike" për një armëpushim detar, dhe, më tej, armëpushim të plotë dhe paqe të përhershme, raporton The Guardian.
“Këto negociata do të fillojnë menjëherë në Lindjen e Mesme”, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë.
Trumpi dhe Putini gjithashtu "kanë rënë dakord që një e ardhme me një marrëdhënie të përmirësuar dypalëshe midis SHBA-së dhe Rusisë ka avantazhe të mëdha", me "marrëveshje të mëdha ekonomike dhe stabilitet gjeopolitik".
“Të dy udhëheqësit kanë rënë dakord se ky konflikt duhet të përfundojë me një paqe të qëndrueshme. Ata theksuan gjithashtu nevojën për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Gjaku dhe thesari që si Ukraina dhe Rusia kanë shpenzuar në këtë luftë do të shpenzoheshin më mirë për nevojat e popullit të tyre. Ky konflikt nuk duhet të kishte filluar kurrë dhe duhej të kishte përfunduar shumë kohë më parë me përpjekje të sinqerta dhe të mirëbesimit për paqen”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Udhëheqësit kanë rënë dakord se lëvizja drejt paqes do të fillojë me një armëpushim energjetik dhe infrastrukturor, si dhe me negociatat teknike për zbatimin e një armëpushimi detar në Detin e Zi, armëpushim të plotë dhe paqe të përhershme.
Irani dhe Izraeli
“Udhëheqësit folën gjerësisht për Lindjen e Mesme si një rajon bashkëpunimi të mundshëm për të parandaluar konfliktet e ardhshme. Ata diskutuan më tej nevojën për të ndaluar përhapjen e armëve strategjike dhe do të angazhohen me të tjerët për të siguruar aplikimin më të gjerë të mundshëm. Të dy udhëheqësit ndanë pikëpamjen se Irani nuk duhet të jetë kurrë në një pozicion për të shkatërruar Izraelin. Të dy udhëheqësit ranë dakord se një e ardhme me një marrëdhënie të përmirësuar dypalëshe midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë ka avantazhe të mëdha. Kjo përfshin marrëveshje të mëdha ekonomike dhe stabilitet gjeopolitik kur të arrihet paqja”, përfundon njoftimi i Shtëpisë së Bardhë.
Lista e gjatë e kushteve dhe kërkesave të Putinit
Deklarata e lëshuar nga Kremlini zyrtar ka njoftuar se përgjatë bisedës telefonike në mes të presidentit rus Vladimir Putin dhe atij amerikan Donald Trump, pala ruse “përshkroi një numër pikash të rëndësishme” që kërkojnë shqyrtim të mëtejshëm, përfshirë “kontrollin efektiv” mbi çdo armëpushim përgjatë vijës së konfliktit, dhe kërkesën e Rusisë për ndalimin e mobilizimit të ukrainasve dhe rinovimin e forcave të saja të armatosura, së bashku me kërkesën më të gjerë për t’i “eliminuar shkaqet rrënjësore të krizës”.
Deklarata përmend “kushtin kyç” të Moskës për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit me një kërkesë për të “ndaluar plotësisht” ndihmën ushtarake të huaj dhe ndarjen e inteligjencës për Ukrainën, transmeton The Guardian.
Por deklarata konfirmon se Putini ka rënë dakord për një armëpushim 30-ditor sa i përket infrastrukturës energjetike dhe ka thënë se lideri rus ka lëshuar tashmë urdhrat përkatëse.
Teksti i Kremlinit thekson se Putini “ka reaguar konstruktivisht” ndaj propozimit për një armëpushim në det, me negociata të mëtejshme që priten rreth kësaj çështje.
Deklarata gjithashtu ka thënë se Putini ka informuar Trumpin mbi planet rreth shkëmbimit të 175 të burgosurve të luftës ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, “si një gjest mirësie” si dhe një lëshim të mëtejshëm të 23 ushtarëve ukrainas “të plagosur rëndë.”
Në kuadër të saj, u përmenden edhe diskutimet e liderëve lidhur me Lindjen e Mesme dhe Detin e Kuq, si dhe shtytjen më të gjerë për “normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe.”