Botë

Julian Assange do ta pranojë fajësinë dhe do të lirohet nga burgu

Ekstradimi i Assanget në SHBA tani në dorë të sekretares së Brendshme britanike

Themeluesi i “WikiLeaks”, Julian Assange, pritet që këtë javë të pranojë fajësinë për shkelje të aktit të spiunazhit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Marrëveshja do t’i japë fund burgimit në Britani të Madhe dhe ia mundëson atij rikthimin në Australi, duke i dhënë fund sagës 14-vjeçare.

Assange ka rënë dakord të pranojë fajësinë për vetëm një akuzë penale, atë të komplotit për të siguruar dhe publikuar dokumente sekrete të mbrojtjes amerikane, sipas dosjes së depozituar në gjykatë.

Përmes një postimi në rrjetin X, “Wikilekas” ka thënë se Assange ka lënë burgun Belmarsh të hënën dhe pasditen e së njëjtës ditë u largua nga Britania duke udhëtuar me një avion privat. 

“Pas seancës ai do të kthehet në Australi”, thuhej në deklaratë.

Assange pritet të dënohet me 62 muaj burgim, periudhë që tanimë ai e ka kryer. Seanca ndaj tij pritet të mbahet të mërkurën në Saipan, ishullin më të madh në ishujt Mariana Veriore, territor amerikan.
Pas seancës ai pritet të kthehet në shtëpi, në Australi.

“WikiLeaks” më 2010 pati publikuar qindra mijëra dokumente sekrete të ushtrisë amerikane mbi luftërat në Afganistan e Irak. Kjo ishte rrjedhja më e madhe e dokumenteve e këtij lloji në historinë e ushtrisë amerikane.

Sipas prokurorisë, 52-vjeçari kishte nxitur e ndihmuar ish-analisten e zbulimit në ushtrinë amerikane, Chelsea Manning, të vidhte kabllogramet diplomatike dhe dosjet ushtarake që i publikoi “WikiLeaks”, duke vënë në rrezik jetët e njerëzve.

Problemet ligjore të Julian Assangit filluan në vitin 2010, kur ai u arrestua në Londër me kërkesë të Suedisë, e cila donte ta merrte në pyetje në lidhje me akuzat për përdhunim dhe sulm seksual të bëra nga dy gra. Në vitin 2012 ai shkeli rregullat e lirimit me kusht duke mos u paraqitur në gjykatë, e cila kishte vendosur të lejonte ekstradimin e tij në Suedi, dhe kërkoi strehë brenda Ambasadës Ekuadoriane në Londër, ku autoritetet britanike nuk kishin autoritet të ndërhynin. Ai qëndroi atje për 7 vjet për të shmangur ekstradimin në Suedi.

Marrëdhënia e tij me strehuesit ekuadorianë u përkeqësua dhe ai u dëbua nga ambasada në prill 2019. Policia britanike e arrestoi menjëherë dhe e burgosi në Belmarsh. Që nga 2019 ai ndodhej në këtë burg të sigurisë së lartë dhe për thuajse 5 vjet ka luftuar për të kundërshtuar ekstradimin në Shtetet e bashkuara.

Gjatë periudhës së burgosjes në Belmarsh Assange u martua me partneren e tij Stella me të cilën bëri dy fëmijë ndërsa qëndronte i izoluar në ambasadën ekuadoriane./VoA