Themeluesi i “WikiLeaks”, Julian Assange, pritet që këtë javë të pranojë fajësinë për shkelje të aktit të spiunazhit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai ka rënë dakord ta pranojë fajësinë për vetëm një akuzë penale, atë të komplotit për të siguruar dhe publikuar dokumente sekrete të mbrojtjes amerikane Marrëveshja do t’i japë fund burgimit të tij në Britani të Madhe dhe ia mundëson rikthimin në Australi, duke i dhënë kështu fund sagës 14-vjeçare
Për mbështetësit e tij, Julian Assange është aktivist i guximshëm për të vërtetën. Për kritikët, ai është shijues i publicitetit që ka rrezikuar jetë duke vënë një sërë informatash të ndjeshme në domenin publik.
Assange është përshkruar nga ata që kanë punuar me të si intensiv, i prirë dhe shumë inteligjent, me aftësi të jashtëzakonshme për t’i thyer kodet kompjuterike.
Në vitin 2006, ai e krijoi “Wikileaksin”, që publikon dokumente dhe pamje sekrete. Përmes saj, doli në lajmet kryesore në gjithë botën në prill të 2010-s, kur publikoi pamje që tregonin ushtarët amerikanë duke i vrarë 18 civilë nga një helikopter në Irak. Por më vonë atë vit, australiani u arrestua në Mbretërinë e Bashkuar – dhe më vonë u lirua – pasi Suedia ia lëshoi një urdhërarrest ndërkombëtar mbi akuzat për sulm seksual.
Assange ka argumentuar se kjo ishte dredhi për t'u ekstraduar përfundimisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që të përballej me akuzat për spiunazh - duke nisur një sagë ligjore e cila tani ka arritur në 14 vjet, që ka përfshirë pesë vende dhe ka arritur disa nga gjykatat më të larta në botë.
Por 52-vjeçari tani është i lirë – i liruar dhe në rrugëtim për në Ishujt Veriorë Mariana – ku pritet që të mërkurën të deklarohet fajtor për një akuzë të vetme, pasi ka arritur ujdi me autoritetet amerikane.
Ai pritet të lirohet menjëherë, për shkak të kohës që veç e ka kaluar në burg në Mbretërinë e Bashkuar dhe do të kthehet në Australi.
Fillimet e hakimit
Assange ka ngurruar të flasë për veten, por interesimi i mediave që nga shfaqja e “Wikileaks” ka zbuluar disa të vërteta për ndikimet e tij.
Ai është lindur në Townsville në shtetin australian Queensland në vitin 1971 dhe ka kaluar fëmijëri të qetë. Është bërë baba në moshën 18-vjeçare dhe së shpejti ka ardhur edhe beteja për kujdestarinë.
Zhvillimi i internetit ia ka dhënë mundësinë për t’i përdorur aftësitë e tij të hershme matematikore, edhe pse kjo ka çuar gjithashtu në vështirësi.
Në vitin 1995, Assange është akuzuar, me një shok, për dhjetëra aktivitete hakimi. Edhe pse grupi i hakerëve ka qenë aq i aftë sa t’i gjurmojë detektivët që i gjurmonin, Assange në fund është kapur dhe është shpallur fajtor.
Ai është gjobitur me mijëra dollarë australianë – vetëm për t’i shpëtuar burgimit me kushtin se ai nuk do ta shkelte ligjin përsëri.
Ai është futur në botën e akademisë – duke u bërë bashkautor i një libri shumë të shitur për anën e zhvilluar të internetit, përpara se të studionte fizikë dhe matematikë.
Puna e “Wikileaksit”
Assange e ka themeluar “Wikileaksin” në vitin 2006 me një grup të njerëzve me mendime të njëjta në internet, duke e krijuar një rrjet të fshehtë, për rrjedhësit e informatave.
“Për t’i mbajtur burimet tona të sigurta, neve na është dashur të shpërndajmë asete, të kodojmë gjithçka dhe t’i lëvizim telekomunikimet dhe njerëzit rreth botës, për t’i aktivizuar ligjet mbrojtëse në gjykime të ndryshme kombëtare”, kishte thënë ai për BBC-në në vitin 2011. “Ne u bëmë të zotë këtu dhe kurrë nuk kemi humbur ndonjë rast, burim, por nuk mund të presim që të gjithë t’i kalojnë përpjekjet e jashtëzakonshme që ne i kalojmë”.
Assange e ka udhëhequr “Wikileaksin” nga lokacione të përkohshme dhe të ndryshme.
Ai mund të rrinte pa ngrënë dhe të fokusohej në punë me pak sy gjumë, sipas Raffi Khatchadourian, reporter për revistën “New Yorker”, i cili ka kaluar disa javë duke udhëtuar me të.
“E krijon atmosferën përreth tij, ku njerëzit që janë afër tij duan të kujdesen për të, ta ndihmojnë që ai të vazhdojë përpara. Do të thosha se ndoshta kjo ka të bëjë me sharmin e tij”, është shprehur Khatchadourian.
Por ishte viti 2010 që “Wikileaks” – dhe Assange – u bë me të vërtetë i njohur, me publikimin e pamjeve të helikopterit amerikan që qëllonte civilët në Irak.
Ai e ka promovuar dhe mbrojtur videon, si dhe rrjedhjen masive të dokumenteve të klasifikuara të ushtrisë amerikane në luftërat në Afganistan dhe Irak në korrik dhe tetor të vitit 2010.
Uebfaqja ka vazhduar të lëshojë dokumente të reja, duke i përfshirë 5 milionë emailet nga kompania e inteligjencës “Statfor” me bazë në SHBA.
Së shpejti e ka gjetur veten duke luftuar për mbijetesë, kur një numër i instituteve financiare amerikane nisi t’ia bllokojë donacionet.
Dhe pak pas kësaj, autoritetet suedeze filluan ta ndjekin për ta marrë në pyetje, nën pretendimet se ai e ka përdhunuar një grua dhe e ka ngacmuar dhe detyruar seksualisht një tjetër në gusht të vitit 2010, kur kishte qenë në një vizitë në Stokholm për të dhënë një ligjëratë.
Nga fundi i vitit 2012, është lëshuar një urdhërarrest ndërkombëtar për arrestimin e tij.
Ekuadori ofron azil
Assange ka thënë se takimet kanë qenë tërësisht me vetëdije – dhe pretendimet për përdhunime kanë qenë pjesë e një fushate të motivuar nga politika – duke e kaluar një vit e gjysmë duke e sfiduar urdhërarrestin në gjyq.
Kur gjykata supreme e Mbretërisë së Bashkuar e ka mbrojtur urdhërarrestin, Assange pastaj ka kërkuar ndihmë tek ish-presidenti i Ekuadorit, Rafael Correa, sepse të dy ndanin qëndrime të njëjta për të kaluarën. Në qershor të vitit 2012, ai kërkoi azil në ambasadën ekuadoriane në Londër për t’iu shmangur burgimit.
Qëndrimi i tij në ambasadë është karakterizuar me deklarata dhe intervista të herëpashershme. Ai ka kërkuar të merreshin masa ndaj raportimeve duke akuzuar se “është përballur me raportim të gjerë, të pasaktë dhe negativ të mediave”.
Gjatë kësaj kohe që shqetësimet për shëndetin e tij nisën të shfaqeshin – por Assange i ka mohuar raportimet se ai do të largohej nga ambasada për të marrë trajtim mjekësor.
Pasi ka kaluar gati shtatë vjet brenda ambasadës, Assange u nxor në mënyrë dramatike nga ndërtesa dhe u arrestua nga policia britanike më 11 prill të vitit 2019.
Presidenti ekuadorian Lenín Moreno – që ka thënë e ka “trashëguar” situatën nga paraardhësi i tij – ka shkruar në ish-rrjetin social Twitter se vendi i tij ka marrë “vendim sovran”, për ta tërhequr statutin e azilit.
Moreno dhe qeveria e tij janë bërë gjithnjë e më të frustruar me Assangen dhe refuzimin e tij për t’i ndjekur rregullat që ia kanë caktuar, në mënyrë që të vazhdonte të rrinte në ambasadë.
Ka pasur “shkelje të shpeshta ndaj konventave ndërkombëtare dhe protokolleve të jetës së përditshme” nga Assange, ka thënë ai në një deklaratë me video.
Por Ekuadori ka kërkuar që Britania e Madhe të garantojë që Assange të mos dërgohet në një vend ku do të përballej me torturë ose dënim me vdekje, ka shtuar Moreno.
Zvarritjet ligjore
Assange është arrestuar në një stacion policor të Londrës qendrore – i akuzuar për mosdorëzim në gjykatë në vitin 2012 – dhe më 1 maj 2019 ai u dënua me 50 javë në burg.
Gjatë javëve pasuese, prokurorët suedezë e rinisën hetimin rreth pretendimeve për përdhunim të vitit 2010 dhe SHBA-ja publikisht e ka dënuar Assangen me shkelje të Nenit të Spiunazhit, lidhur me publikimin e dokumenteve sekrete të vitit 2010.
Departamenti amerikan i Drejtësisë ka përshkruar këtë si një rrjedhjet “më të mëdha të informacionit të klasifikuar në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
“Wikileaks” ka thënë se vendimi ka qenë “çmenduri” dhe “përfundim i gazetarisë kombëtare të sigurisë”.
Teksa Assange përgatitej të luftonte kundër ekstradimit në SHBA, prokurorët suedezë njoftuan se hetimi i pretendimeve për përdhunim të vitit 2012 ishte hedhur poshtë, sepse provat kundër Assanget nuk kanë qenë “mjaftueshëm të forta për ta formuar bazën për ngritjen e aktakuzës”.
Që nga atëherë rasti i tij ka qenë i lidhur me çështje ligjore dhe një seri apelimesh.
Në vitin 2012, gjykata britanike pati vendosur në favor të tij, duke e bllokuar ekstradimin – e që më vonë u apelua me sukses nga qeveria amerikane.
Dhe vetëm muajin e kaluar Gjykata Supreme e Mbretërisë së Bashkuar vendosi që Assange do të apelojë ndaj urdhrit amerikan të ekstradimit – përsëri.
Të gjitha këto ndodhën teksa Assange ka qenë në Londër, në burgun e sigurisë së lartë “Belmarsh”.
Atje, në vitin 2022, ai u martua me partneren e tij prej shtatë vjetësh, Stella Moris, avokate nga Afrika e Jugut dhe anëtare afatgjatë e ekipit të tij mbrojtës. Ajo është gjithashtu nëna e dy fëmijëve të Assanges.
Familja e tij qe një kohë ka treguar se shëndeti i tij është duke u dobësuar dhe se është e frikësuar që ai do të vdiste ose të vetëvritej.
Teksa procesi është zvarritur, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-ja janë përballur me presion – nga fushatat publike dhe vendi i Assanges në Australi – për ta zgjidhur çështjen.
Në shkurt kryeministri australian Anthony Albanese ka thënë se vendi është duke e ndarë qëndrimin që “tashmë është bërë boll”.
“Kjo gjë nuk mund të vazhdojë dhe të vazhdojë pafundësisht”, ka deklaruar ai.
Grupet e të drejtave të njeriut si Amnesty International, Human Rights Watch dhe American Civil Liberties Union (ACLU) kanë bërë thirrje për lirimin e Assanget, duke thënë se trajtimi i tij ka qenë çnjerëzor dhe rasti ka qenë kërcënim i lirisë së shtypit.
Ai gjithashtu ka fituar mbështetje nga disa figura me fuqi dhe ndikim botëror, duke e përfshirë edhe ish-liderin e Partisë së Punës së Mbretërisë së Bashkuar Jeremy Corbyn, profesorin Noam Chomsky, yllin e filmit “Baywatch” Pamela Anderson dhe ikonën e modës Vivienne Westwood.
Por kritikët e tij – që përfshijnë ish-sekretaren e Shtetit, Hillary Clinton, dhe republikanin Mitch McConnell – thonë se ai nuk është gazetar dhe se rrezikon jetë, duke publikuar dokumente pa redaktim.
Pas seancës përfundimtare të mërkurën në territorin amerikan të Saipanit - ishull i Paqësorit në veri të Guamit - ai pritet të kthehet në Australi dhe të ribashkohet me familjen.
Familja e tij është shprehur e lehtësuar dhe i ka falënderuar mbështetësit e tij.
“Jam mirënjohëse që problemeve të djalit tim po u vjen fundi. Kjo tregon rëndësinë dhe fuqinë e diplomacisë së qetë”, ka thënë nëna e tij Christine Assange në një deklaratë.