Botë

Ju duhet një respirator? Tregtari polak i armëve ka shumë prej tyre

Varshavë, (Reuters) – Kur pandemia e koronavirusit u përhap nëpër Evropë në prill dhe spitalet ishin në nevojë të madhe për respiratorë, Qeveria e Polonisë u kthye te një furnizues i pazakontë: te një tregtar i armëve.

Andrzej Izdebski (69) kishte ndihmuar të kontrabandonte armë dhe municion matanë kufirit, dhe kishte punuar për Shërbimin Sekret të Polonisë në kohën e komunizmit, dhe thotë se i ka shitur suplemente dietale Koresë së Veriut.

Muaj më vonë, një valë e dytë e koronavirusit ka ngarkuar spitalet në Poloni dhe është rritur numri i të vdekurve nga COVID-19. Izdebski ka ofruar më pak se 1/5 e 1241 respiratorëve që Qeveria e Polonisë ishte pajtuar t’i blinte për afro 53 milionë dollarë.

Lufta e Izdebskit për të siguruar respiratorë për Poloninë tregon për rrugët që shtetet është dashur të merrnin për të siguruar pajisjet që janë jetike gjatë kësaj pandemie.

Derisa shtetet e pasura kanë bërë garë për të siguruar pajisjet që ndihmojnë në frymëmarrje nga prodhuesit e mëdhenj në Kinë, Evropë dhe SHBA, shtetet e varfra si Polonia kanë pasur dy zgjedhje, ndërsa pandemia ka pushtuar globin: të qëndrojë në listë të pritjes ku dërgesat mund të vonoheshin me muaj, apo të kontaktojë pako të treta pak të njohura.

Polonia u përcaktua për opsionin e dytë.

Me marrëveshjen, Qeveria e Polonisë kishte pritur që kompania e Izdebskit të ofronte 321 respiratorët e parë në prill dhe maj. Por pasi blerës të tjerë nëpër botë po ashtu po kërkonin këto pajisje, Izdebski kishte shumë telashe për t’i siguruar ato në kohë, ka thënë ai gjatë intervistës. Kur ato nuk arritën, Varashava anuloi porositë.

Varshava kishte pritur që porosia tjetër prej 920 respiratorësh nëpërmjet Izdebskit të vinte deri në qershor.

Por deri nga fillimi i korrikut, ai kishte ofruar vetëm rreth 200 respiratorë, siç ka treguar një zyrtar i Qeverisë.

Zyrtari nuk e ka fajësuar Izdebskin që nuk ka arritur t’i sigurojë pajisjet, që ndihmojnë pacientët të marrin frymë dhe mund të jenë dallimi mes jetës apo vdekjes për ata që përballen me efektet më të rënda të koronavirusit të ri. Ai ka thënë se Izdebski kishte ofruar dokumente me të cilat tregonte se një nga prodhuesit nuk është në gjendje t’i dorëzojë respiratorët në kohë.

Por, në atë moment Varshava u kthye te furnizues të tjerë dhe anuloi porosinë për 1041 respiratorë. Izdebski ka thënë se ka paguar më tepër se gjysmën e porosisë me parapagesën që mori nga Qeveria.

Sot ai i ka borxh Varshavës miliona dollarë dhe po kërkon blerës për afro 500 respiratorë.

Inventari i tij i padëshiruar tash tregon për vitin kaotik nëpër botë, ndërsa autoritetet kanë lënë anash procedurat e rregullta për të siguruar pajisjet mjekësore. Këtë vit, shtetet evropiane dhe SHBA-ja janë pajtuar për kontrata për respiratorë me vlerë së paku 5.3 miliardë dollarë, sipas shifrave të 106 marrëveshjeve të para nga Reutersi. Në së paku 10 raste, deri mbi 43 mijë respiratorë dështuan të vinin.

Në Poloni, opozitarët kanë kritikuar Qeverinë që është mbështetur te një tregtar i armëve për pajisje jetike dhe se është pajtuar të bëjë parapagim.

Michal Szczerba, anëtar i Platformës Qytetare, partia më e madhe opozitare në Parlament, e ka quajtur marrëveshjen për respiratorë “një skandal gjigant”.

Janus Sieszynski, ish-zëvendësministër i Shëndetësisë që është pajtuar t’ia parapaguajë kompanisë së Izdebskit 35 milionë euro për pajisjet, i ka thënë Reutersit se Izdebski ka ardhur me “rekomandim pozitiv” nga Byroja Qendrore Antikorrupsion e Polonisë. Kjo byro nuk është përgjigjur për Reutersin.

Ministria e Shëndetësisë ka thënë se të gjitha marrëveshjet kanë kaluar “nën llupën” e disa agjencive qeveritare, por ka refuzuar të komentojë, duke thënë se “çdo gjë për këtë çështje është komunikuar tashmë”.

Agjencitë e tjera qeveritare të përfshira në marrëveshje kanë refuzuar të komentojnë apo të japin përgjigje.

Izdebski ka thënë se po bëhet padrejtësisht kurban pasi ka dështuar të ofrojë pajisjet. Gjykata ka aprovuar kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për ta urdhëruar atë të rikthejë 12 milionë euro parapagim, si dhe rreth 3.6 milionë euro gjoba. Ai e ka pranuar borxhin, por ka apeluar vendimin.

200 respiratorë që i ka dorëzuar – me vlerë më tepër se 9 milionë euro – janë në depo, është thënë nga Ministria e Shëndetësisë. Asnjëri nuk ka arritur në spital. I pyetur pse, ministria e ka referuar Reutersin te Agjencia për Rezerva Nacionale, që udhëheq çështjen e magazinimit të të mirave strategjike. Agjencia nuk ka dhënë përgjigje.

“Kjo është katastrofë për sistemin që po e lufton pandeminë”, ka thënë Pawel Grzesiowski, specialist në luftën kundër COVID-19 në Poloni. “Janë shpenzuar gjithë ato para dhe nuk ka pajisje”.

Cieszynski, zëvendësministri që kishte nënshkruar kontratën, dha dorëheqje në gusht, pasuar nga ministri Lukasz Szumowski.

Të dy janë përballur me thirrje për të dhënë dorëheqje në lidhje me problemet në blerjen e maskave dhe pajisjeve të tjera mjekësore, përfshirë respiratorët. Ata mohuan se kanë bërë ndonjë shkelje dhe kanë thënë se dorëheqjet e tyre nuk kanë të bëjnë me marrëveshjen për respiratorë.

Szumowski nuk ka dhënë deklaratë për këtë çështje. Ai dhe Cieszynski kanë thënë se ishin duke planifikuar të largoheshin, por qëndruan përkohësisht për të ndihmuar luftën kundër pandemisë.

Izdebski, që ka kthyer 14 milionë euro të avancës që e kishte pranuar, ka kërkuar më tepër kohë për të kthyer pjesën tjetër, që t’i shesë respiratorët që ka në inventarin e tij.

Image

Furnizuesi

Izdebski kishte lidhur marrëveshje me një kompani me përvojë 27-vjeçare, E&K Sp.z o.o. Sipas publikimeve të fundit E&K kishte asete në vlerë 1 milion dollarë në fund të vitit 2018.

E&K fillimisht në vitin 1990 ishte specializuar për ndërmjetësim të transportit ajror dhe për ofrim të shërbimeve të aviacionit. Izdebski ka thënë se ai ka qenë ndaras i përfshirë në tregti të pajisjeve mjekësore dhe dizajnim të një helikopteri të shpëtimit për Ministrinë e Shëndetësisë.

Unimesko, një kompani tjetër polake që e ka në pronë, e ka regjistruar tregtinë e armëve në regjistrin zyrtar në mesin e aktiviteteve biznesore deri këtë vit. Më 30 nëntor, ky përshkrim ishte ndryshuar për te “tregti e përgjithshme”, por ka në listë prodhimin e armëve dhe municionit si aktivitetet sekondar.

Ai ka thënë se dikur ka punuar me Shërbimin Sekret të Polonisë në kohën e komunizmit dhe ka pranuar se ka kontrabanduar automatikë dhe municion në Kroaci, përkundër embargos së armëve në vitet 1990 duke përdorur dokumente të falsifikuara. Në intervistë për Reutersin, Izdebski ka pranuar se thyerja e embargos “nuk është totalisht e ligjshme”, por ka thënë se të tjerët po e bënin po ashtu dhe se ai kurrë nuk u akuzua.

Në vitin 1993 ai ishte kidnapuar në një marrëveshje në lidhje me paratë, siç tregojnë regjistrat e gjykatës. Sot, ai e përshkruan veten si tregtar në “pajisje speciale” – si pjesë rezervë për ushtrinë – si dhe të vitaminave dhe suplementeve të tjera për Korenë e Veriut. Ai thotë se nuk ka thyer asnjë embargo me këto tregti.

Në përgjithësi, Izdebski thotë se armët përbëjnë një pjesë shumë të vogël të marrëveshjeve të tij, shumica e të cilave janë të ligjshme.

Marrëveshja

Në fillim të prillit, kur Polonia kishte regjistruar rreth 5000 raste me COVID-19, Izdebski thotë se po shikonte për maska mbrojtëse për kompanitë polake, kur një zyrtar në një nga kompanitë e pyeti nëse mund të furnizonte me respiratorë. Ai tha se nuk ka përvojë me respiratorë, por foli me Ministri dhe u pajtua të ofronte disa.

Normalisht, autoritetet hapin tender për marrëveshje kaq të madhe. Në mars, Parlamenti në Poloni e kaloi një ligj me të cilin thoshte se tenderët nuk janë të nevojshëm në kohën e COVIDIT.

Më 14 prill, Ministria nënshkroi një marrëveshje me vlerë 44.4 milionë euro për 1241 respiratorë dhe transferoi rreth 35 milionë euro – apo afro 80 për qind të shifrës totale të marrëveshjes – te kompania e Izdebskit brenda pak orëve, bazuar në faturat e para nga Reuters.

Izdebski ka thënë se prodhuesit kishin mungesë të kësaj pajisjeje, kështu që i kërkoi ato nëpërmjet palëve të treta. Në një treg shumë garues, ai u detyrua të bënte blerje të pajisjeve pa i parë ato.

Ai mori disa nga pajisjet nëpërmjet një kompanie nga Pakistani, ZM Corp, me të cilën kishte punuar më herët. ZM nuk u përgjigj në pyetjet e Reutersit.

Izdebski ka thënë se asetet e tij janë ngrirë dhe se i duhet t’i shesë pajisjet për t’ia kthyer paratë Qeverisë. Ai ka në dorë 465 respiratorë, që gjenden në një aeroport polak.

Një, ai thotë, gjendet në garazhin e shtëpisë së tij.

“Nëse keni spital, me shumë kënaqësi do ta dhuroja këtë respirator”, thotë ai.