Botë

Joe Biden e Donald Trump - gati për debatin presidencial të së enjtes

Donald Trump dhe Joe Biden

Donald Trump dhe Joe Biden

Foto: Associated Press

Presidenti amerikan Joe Biden dhe ish-presidenti, Donald Trump, janë duke u përgatitur që të përballen të enjten mbrëma, në debatin e tyre të parë presidencial për ciklin e zgjedhjeve të nëntorit.

Përballja, e organizuar nga CNN në orën 21:00 sipas kohës lokale, në Atlanta, do të bëjë histori si debati i parë midis një presidenti në detyrë dhe një ish-presidenti. 

Presidenti Joe Biden e ka nisur fushatën e tij të rizgjedhjes në prill të vitit 2023, duke e përshkruar garën midis tij dhe ish-presidentit Donald Trump si një zgjedhje e ashpër për votuesit, midis vazhdimit të demokracisë në Amerikë dhe shkatërrimit të saj të mundshëm. 

Ai është presidenti më i vjetër që ka mbajtur ndonjëherë detyrën dhe do të ishte 86 vjeç në fund të një mandati të dytë.

Ndërkohë, ish-presidenti Donald Trump, e ka nisur fushatën e tij për t’u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë në nëntor të vitit 2022. 

Trumpi vazhdon të mohojë rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020 pasi kishte humbur ndaj Bidenit, dhe promovon teori konspirative të pabaza për mashtrimin zgjedhor. Në maj të vitit 2024, Trumpi u shpall fajtor për të gjitha akuzat në gjyqin e tij penal në Nju Jork. Ai përballet me akuza edhe për tri raste të tjera.

Disa fakte të rëndësishme rreth Bidenit: 

Mosha: 81 

Partia: Demokrat

Përvojat: Bideni mori diplomën e tij bachelor nga Universiteti i Delaware dhe një diplomë juridike nga Universiteti i Sirakuzës. Ai pati një karrierë të shkurtër në drejtësi dhe poste publike lokale, përpara se të zgjidhej në Senatin e SHBA-së në vitin 1972, një pozicion të cilin e mbajti derisa u betua si zëvendëspresident nën presidencën e Barack Obamas, në vitin 2009. Ai është i martuar me Jill Biden dhe ka dy fëmijë të gjallë , Hunter dhe Ashley. Gruaja e tij e parë dhe një vajzë vdiqën në një aksident automobilistik në vitin 1972 dhe djali i tij Beau Biden vdiq nga kanceri i trurit në vitin 2015. 

Premtimet kryesore të fushatës: Bideni ka vendosur mandatin e tij të dytë si vazhdim i mandatit të tij të parë - "Le ta mbarojmë këtë punë" ishte një refren i zakonshëm në shpalljen e tij për rizgjedhje, dhe në fjalimet pasuese. Ai po zotohet të mbrojë të drejta të tilla si mbrojtja nga aborti, të cilat disa republikanë kanë kërcënuar t’i hedhin poshtë. Nëse rizgjidhet, Bideni ka thënë se ai do të mbronte gjithashtu imazhin e Amerikës në skenën botërore, do të ruante demokracinë në vend dhe do të përmbushte standardet e klimës. 

Disa fakte të rëndësishme rreth Trumpit:

Mosha: 78

Partia: Republikan 

Përvojat: Trumpi u diplomua në Universitetin e Pensilvanisë me një diplomë bachelor në ekonomi. Përpara se të niste ofertën e tij të suksesshme presidenciale të vitit 2016, Trumpi ishte një biznesmen i pasurive të paluajtshme dhe një yll televizioni si drejtues i “reality shout” "The Apprentice". Ai ka pesë fëmijë dhe është i martuar me Melania Trump. 

Premtimet kryesore të fushatës: Nëse fiton një mandat tjetër, Trumpi ka thënë se do të riparojë fraksionet kryesore të qeverisë federale dhe do të shkurtojë programet e rrjetit të sigurisë sociale. Ai është zotuar gjithashtu se do të hakmerret ndaj kundërshtarëve të tij politikë dhe ka thënë se do të emërojë një prokuror special për të “ndjekur” Bidenin dhe familjen e tij.

Bideni dhe Trumpi do të zhvillojnë një debat 90-minutësh në CNN.

Këto janë disa prej rregullave dhe parametrave të cilat janë pajtuar t’i ndjekin të dy palët:

Debati do të përfshijë dy pauza reklamash, sipas rrjetit, dhe stafi i fushatës mund të mos ndërveprojë me kandidatin e tyre gjatë asaj kohe.

Mikrofonat do të mbyllen gjatë gjithë debatit, përveç kandidatit, radha e të cilit është të flasë.

Ngjarja nuk do të ketë audiencë në studio.

Kandidatët kanë rënë dakord të paraqiten në një podium të përbashkët.

Ndërsa në skenë nuk do të lejohen shënime të shkruara paraprakisht, kandidatëve do t'u jepet një stilolaps, një copë letre dhe një shishe me ujë.