Botë

Jeta e komplikuar në “parajsë”

Ishulli Taveuni, Fixhi Foto: CNN

Ishulli Taveuni, Fixhi Foto: CNN

Kur turistët e mendojnë Fixhin, mendojnë plazhet e bukura me rërë të bardhë dhe koktejet me çadra të vogla shumëngjyrëshe. Por, në të vërtetë, është shumë më shumë se kaq. Nga rrjetet e thashethemeve, ritualet tradicionale e deri te problemet me largimin e popullsisë, fixhianët tregojnë për stilin e vërtetë të jetesës në këtë vend përrallor

Për udhëtarët, ka një imazh specifik të Fixhit që u shkon në mendje sa herë e mendojnë: shtresa të bardha e të përsosura të rërës, kasollet mbi ujë të përkryera për çiftet gjatë muajit të mjaltit dhe detin blu të ndritshëm në çdo drejtim.

Megjithatë, për njerëzit që jetojnë në Fixhi, imazhi është shumë më i komplikuar.

Menaxheri i një restoranti, TJ Patel është vendas i qytetit Nadi, vend ku gjendet aeroporti ndërkombëtar i Fixhit dhe e përdor për të takuar njerëz nga i tërë globi për t’i çuar në restorantin e tij, Vasaqa. Ai thotë se është mjaft i vetëdijshëm që jashtë Fixhit, pak njerëz do të dinin ta gjenin vendin e tij në hartë.

“Nëse nuk mund ta gjesh Australinë, një nga kontinentet më të mëdha në tokë, në hartë, paq fat ta gjesh gjilpërën në kashtën e Oqeanit Paqësor”, thotë ai. “Gjithmonë thua, ‘në veri të Zelandës së Re, në lindje të Australisë, jugperëndim të Havait’”.

Kjo “gjilpërë në kashtë” është një arkipelag në Paqësorin Jugor me rreth 900 mijë njerëz, gjysma e të cilëve jetojnë në kryeqytetin Suva. Ish-koloni britanike, Fixhi ka tri gjuhë zyrtare: gjuhën angleze, fixhishten dhe fixhi hindin.

Ndoshta është kjo errësirë gjeografike që i shtyn shumë të bëjnë supozime të pasakta për jetën në Fixhi.

“Mendoj që perceptimi është se fixhianët janë gjithmonë në plazh”, thotë Evlyn Mani, një profesioniste lokale e marrëdhënieve me publikun dhe blogere e stilit të jetesës. “Ata nuk e kuptojnë se ka më shumë për Fixhin sesa plazhet me rërë dhe kokteje me çadra të lezetshme në to”.

“Rrjeti kokos”

Fjala që përdoret më së shpeshti nga banorët e Fixhit është “komunitet”. Është komb që e mbështesin njëri-tjetrin dhe ku “të gjithë njihen mes vete”, thotë Pateli dhe ata që largohen gjithmonë kthehen në vendlindje për festimet e festave të mëdha, pavarësisht vendit ku jetojnë.

Kasollet mbi ujë, Fixhi Foto: CNN

Banorët bëjnë humor kur flasin për “rrjetin kokos” – rrjet me lajme lokale dhe më shumë thashetheme personale.

“Në ishullin kryesor, Viti Levu, këtu ku jemi, mund të vozisësh përreth për pesë orë”, thotë Pateli. “Kështu që kur arrin në pikën e jetës ku jeni në lidhje me dikë, veçse i keni takuar të gjithë. Sepse ka pasur mjaft dasma, funerale dhe festa të Krishtlindjeve”.

Mediat sociale, thotë ai, vetëm sa e kanë përforcuar rrjetin e thashethemeve.

“Janë vetëm histori që ndahen me njëri-tjetrin. Diçka është e kaltër, e derisa të arrijnë thashetheme te personi i tretë, ose i katërt, është e kuqe”.

Shumë indianë u dërguan në Fixhi gjatë ditëve të kolonizimit britanik si punonjës dhe kanë mbetur aty si komunitet i gjerë. Mani dhe Pateli kanë prejardhje nga India.

Ben Hussain, një shankist dhe krijues koktejesh, e përshkruan Fixhin si “një tenxhere gjigante shkrirëse” dhe thotë se është ende e zakonshme të shfaqen filma të Bollywood-it në TV dhe të ketë grumbullim të disa brezave për festat hindu si Diwali.

Mënyra e jetesës së Fijit

Kryesorja e ngjarjeve komunale në Fixhi është ceremonia kava. Kava është një bimë rrënjore mesatarisht narkotike vendëse e Fixhit, e cila bluhet e bëhet pudër dhe përzihet me ujë. Pastaj pihet nga një tas i madh i quajtur tanoa, duke përdorur një lëvozhgë të kokosit si lloj luge.

Edhe turistët ndërkombëtarë ftohen për të marrë pjesë në ritualin kava, kur arrijnë në hotelin e tyre ose kur udhëtojnë në një fshat.

Cagi Ratudamu është rritur në një fshat të vogël të quajtur Laselase dhe si vendas i Fixhit ai i sheh ritualet e tilla si shumë serioze.

Për shembull, thotë ai, të gjithë vizitorët e fshatit duhet të përshëndeten me një ceremoni tradicionale të mirëseardhjes. Ka gjithashtu ceremoni të veçanta për t’i festuar martesat dhe foshnjat e sapolindura.

“Le të themi se jam duke ju vizituar në një fshat të Fixhit”, thotë Ratudamu. “Në thelb po e prezantoni kavën tuaj si dhuratë për fshatrat. Dhe atëherë ne do t’ju mirëpresim. Pastaj do ta paraqesim edhe ne kavën tonë. Disa njerëz e paraqesin dhëmbin tradicional të balenës”.

Gjithashtu konsiderohet respekt nëse një burrë e viziton fshatin e familjes së të dashurës së re, për t’i treguar synimet e tij. Shumë banorë të Fixhit, përfshirë Ratudamun, mbajnë lule hibiskusi ose frangipani prapa veshëve të tyre – prapa veshit të majtë do të thotë se dikush është beqar, ndërsa në të djathtin e kundërta.

Sipas të dhënave nga Departamenti Shtetëror amerikan, rreth 57 për qind e njerëzve në Fixhi janë indigjenë dhe nga ky grup shumica janë të krishterë. Radutamu thotë se banorët e Fixhit i kanë mënyrat e tyre për t’i përzier besimet e krishtere me traditat lokale. Krishtlindjet dhe Pashkët janë festa të rëndësishme, ku i tërë fshati dhe familjet e gjera mblidhen së bashku.

“Ka një strukturë në fshat. Mendoj se gjithçka varet nga e drejta e lindjes. Struktura e ndenjëseve ku uleni varet nga detyrimi juaj tradicional në fshat”, thotë Radutamu.

Radutamu punon në një hotel luksoz, Resorti Nanuku pranë qytetit të Pacific Harbour në skajin jugor të Viti Levu. Por shumica e njerëzve në fshatin e tij, të njohur si “tasi i sallatës së Fixhit”, janë fermerë perimesh.

Shumë turistë të cilët takohen me të, janë të etur të mësojnë për Fixhin dhe kërkojnë ta vizitojnë fshatin e tij, thotë Radutamu. Por keqkuptimet ndodhin akoma. Më e keqja? “Kanibalizmi. Ata mendojnë se ne mund të hamë njerëz”.

Chantae Reden, mërgimtare amerikane që është zhvendosur në Suva me burrin e saj gjerman në vitin 2017, thotë se i dashuron shumë elemente të mendësisë komunale fixhiane, edhe nëse i është dashur pak kohë për t’u mësuar me to. Një nga gjërat e preferuara të Redenit për t’u bërë në Fixhi është e njëjtë si në SHBA: vajtja në kinema.

“Vajtja në kinema është argëtuese. Është eksperiencë”, thotë ajo. “Fixhianëve u pëlqen t’i bërtasin ekranit... që mund të jetë bezdisëse për dikë, por nëse po sheh një film horror dhe e tërë turma po bërtet ‘Kthehu!’ nuk është më i frikshëm. Është shumë argëtuese”.

Mani është rritur në Sigatoka, qytet në anën jugperëndimore të “bregut me korale” të Viti Levus. Ajo është zhvendosur në Suva për kolegj dhe ka jetuar atje që atëherë.

Me mot të butë, nuk është për t’u habitur që shumë hobi fixhiane përfshijnë palestrën. Mani shijon klasat e gjimnastikës, vrapimin dhe boxfitin, një program ushtrimesh që ndërthur elemente të gjimnastikës dhe boksit.

Redeni ka bërë miq përmes palestrës dhe ngjitjes së malit, notit, zhytjes dhe aktiviteteve të tjera të jashtme.

“Nëse luan ragbi, mund të miqësohesh me të gjithë njerëzit e Fixhit, pak a shumë”, qesh Redeni.

Ragbi është sport kombëtar dhe besim laik në Fixhi. Ekipet e ragbit të meshkujve të vendit fituan medaljen e artë në Lojërat Olimpike në vitet 2016 dhe 2020, medaljet e para për fixhianët.

“Po, mendoj se ragbi është fe”, thotë Ratudamu. “Nëse ka një lojë me ragbi ku është i përfshirë një ekip i Fixhit, i lë të gjitha gjërat, sepse duhet të kalosh ca kohë për ta shikuar dhe për të bërë tifo”.

Por çfarë ka për njerëzit që preferojnë më pak hobi fizik?

“Ka gjithmonë diçka që ndodh në Suva”, thotë Mani. “Ka një ekspozitë të artit. Kohëve të fundit, ka klasa të pikturës ku mund të pish në Suva, të cilat janë bërë mjaft të famshme. Ka muzikë të drejtpërdrejtë. Ne kemi këngëtarë dhe banda të mira lokale”.

Ishujt dhe bota

Meqë Suva është kryeqyteti dhe Nadi vendi i aeroportit, këto dy qytete ndajnë elemente me qytetet e tjera të mëdha të botës – brende ndërkombëtare, ndërtesa të larta dhe punonjësit e zyrave. Por, siç shpjegon Redeni, udhëtarët nuk kanë nevojë të shkojnë larg për ta parë një anë tjetër të Fixhit.

“Ne jetojmë në një apartament normal me tri dhoma gjumi dhe shumica e njerëzve jetojnë në shtëpi në qytet”, thotë Redeni. “Por sapo të dilni jashtë qytetit, qoftë edhe vetëm 10 ose 15 minuta larg, do të shihni më shumë shtëpi banimi. Ata thjesht janë bërë bashkë nga dikush i komunitetit. Ato mund të jenë bërë me metal të valëzuar ose dru dhe thjesht montohen, jo domosdoshmërish të ndërtuara me beton apo nga një kompani ndërtimi”.

Hussain thotë se Fixhi është “qendra e Paqësorit” për shkak të numrit të madh të anglishtfolësve vendas, internetit të shpejtë dhe lidhjes me pjesën tjetër të botës përmes “Fiji Airways”, e cila ka fluturime direkte për në SHBA, Kanada, Japoni, Singapor, Australi dhe më shumë.

Netflixi, YouTube, TikToku dhe platforma të tjera online po e sjellin influencën japoneze, amerikane, australiane dhe të vendeve të tjera në ishuj.

“Me të rinjtë tani, vëreni se ka shumë interes për gjëra të tilla si anime (animacione japoneze)”, thotë Hussaini. “Pra, të gjitha këto gjëra të reja po vijnë në ishull. Ka një rritje të interesimit në gjëra të tilla si skateboarding. Dhe këto janë të gjitha ndikime të reja për vendin – gjëra që pesë vjet më parë, askush nuk do t’i mendonte. Ne po i përdorim gjërat e reja”.

Ndërsa shumë gjëra janë duke u futur në kulturën e Fixhit nga jashtë vendit, shumë gjëra të tjera janë duke dalë – kryesisht, njerëzit.

“Ka pasur largime të mëdha të profesionistëve nga shumë sektorë”, thotë Hussaini. “Sinqerisht, nuk është vetëm brezi i ri. Ne po humbasim shumë njerëz të kualifikuar, njerëz të kualifikuar në secilën industri, në çdo industri përkatëse. Mendoj se janë ata që duhet t’ua kalojnë traditën të rinjve”.

Shumë fixhianë janë larguar për në Australi dhe Zelandë të Re, ku mund të fitojnë më shumë para dhe të përjetojnë një mënyrë të re jetese. Megjithatë, politikat lokale që i japin përparësi punësimit të fixhianëve, lënë të nënkuptojnë se është e vështirë të sjellin punëtorë të huaj, madje edhe ata me aftësi të specializuara.

“Është krijuar kjo gjë ku fixhianët që janë të arsimuar dhe të kualifikuar për role specifike, largohen për në Australi meqë nuk paguhen mirë në vendin e tyre”, thotë Redeni. “Pastaj krijohet një vakum, vjen një perëndimor dhe më pas ai paguhet me pagën pothuajse të njëjtë, dhe fixhiani që mund ta kishte bërë këtë punë zhvendoset në një vend tjetër”.

Banka Botërore e klasifikon Fixhin si vend “të cenuar”. Ndërsa një numër i vogël i fixhianëve jetojnë në varfëri – rreth 1.3 për qind - ka shumë të tjerë që i plotësojnë kriteret e Bankës për të qenë në prag të varfërisë. Më shumë se gjysma e njerëzve në vend mbijetojnë me më pak se 6,85 dollarë në ditë. Njerëzit më të pasur jetojnë në Suva dhe Nadi, duke krijuar një ndarje mes zonës urbane dhe asaj rurale.

Nuk ka shumë mundësi që imigrantët të punojnë në Fixhi, shton Redeni, burri i së cilës është oqeanograf. Ashtu si shumica e jofixhianëve, ai varet nga kontratat vjetore për të qëndruar në vend.

“Fixhi me të vërtetë ka shumë role të rrepta për fixhianët”, thotë Redeni. “Edhe të bëhesh vullnetar mund të jetë gjë e vështirë”.

Redeni thotë se disa vendas ngurrojnë të jenë miq me imigrantët pasi supozohet se ata nuk do të qëndrojnë aq gjatë në Fixhi sa për të krijuar marrëdhënie. Është edhe çështja e parave rreth të huajve që paguhen mirë.

“Kjo situatë imigrantësh në Suva ka rritur çmimet e shumë gjërave sepse imigrantët njihen si njerëz që janë të paguar mirë, çka krijon kosto më të lartë të jetesës për të gjithë të tjerët”, thotë ajo.

Hussaini thotë se nëse do të arrinte të ndryshonte diçka për Fixhin, do të ishte qasja.

“Dua qasje në më shumë institucione trajnimi të nivelit bazë, për t’i bërë gjërat më të lehta për ne”, thotë ai. “Na duhet t’i bëjmë të gjitha këto institucione më të qasshme për njerëzit tanë. Një nga problemet kryesore me të cilat përballemi si fixhianë të përditshëm është se nuk kemi qasje në të gjitha këto gjëra. Keni mungesë fondesh. Ne kemi prindër që nuk mund t’i paguajnë tarifat (e shkollës) dhe kush e di, mund të ndodhë që kryeministri i ardhshëm thjesht nuk ka shkuar në shkollë atje”.

Megjithatë, ai thotë se e do vendin e tij dhe se është optimist për të ardhmen e tij.

“Gjëja më e mirë që mund të bësh është t’i shohësh të mirat dhe të harrosh të këqijat. Me shiun vjen edhe balta”.