Botë

Jep dorëheqje ministrja kryesore e Qeverisë Trudeau në Kanada

Një prej ministreve kryesore të kryeministrit kanadez, Justin Trudeau, ka dhënë dorëheqje me arsyetimin se ka humbur besimin në qeverinë lidhur me akuzat për korrupsion.

Kryetarja e bordit të thesarit shtetëror, Jane Philpott, ka thënë se për dorëheqjen e saj, është bazuar në përgjegjësitë etike dhe obligimet kushtetuese, transmeton KTV. Philpott bëhet figura e dytë e fuqishme e Ministrisë që jep dorëheqje shkaku i aferave korruptive me një kompani ndërtimore që besohet ta ketë ndihmuar financiarisht Libinë.

Më 12 shkurt kishte dhënë dorëheqje Wilson-Raybould, e cila ishte shprehur e bindur se largimi i saj vjen pas refuzimit për të ndihmuar kompaninë SNC-Lavlin.

Ministrja e Qeverisë së Trudeaus, Philpott, është dorëhequr pasi tha se politikanët ose zyrtarët shtetërorë, kanë bërë presion te kryeprokurori që të intervenojë në rastin kriminal që përfshiu SNC-Lavlin.

Kryeministri Trudeau ka thënë se ishte i zhgënjyer nga dorëheqja, por ka shtuar ta ketë kuptuar vendimin e Philpottit. Ai ka mohuar përfshirjen e politikës për të mbrojtur firmën “SNC-Lavalin” nga gjykimi për korrupsion.

Konservativët opozitarë i kanë bërë thirrje kryeministrit liberal që të japë dorëheqje shkaku i akuzave për korrupsion, derisa sondazhet tregojnë se popullariteti i Treudeaus është në rënie.