Botë

“Jemi në burg për shkak të prindërve tanë”

Kampi Al-Hol, Siri

Kampi Al-Hol, Siri

Foto: Associated Press

Në burgun “Panorama” të Sirisë janë të burgosur rreth 4000 anëtarë të ISIS-it, e në mesin e tyre 600 djem të arrestuar sa kanë qenë fëmijë. 30 mijë fëmijët për momentin janë duke u mbajtur në 27 objekte burgimi dhe dy kampe dënimi dhe paraqesin përqendrimin më të lartë të fëmijëve të dënuar dhe të privuar nga liria në botë. Shumica e tyre janë sjellë pa dëshirën e tyre në vend, nga prindërit, për të jetuar nën udhëheqjen e kalifatit. E ata nuk ia kanë idenë se pse janë aty ose për çka po dënohen.

Ai ka pasur vizitorë vetëm një herë, vite më parë kur është futur në burg në moshën 14-vjeçare. Me sy të lidhur dhe i shtyrë në një dhomë nga një rojë e maskuar, ai ka thënë se është detyruar të ulet në një karrige plastike nën dritë dhe është marrë në pyetje nga zyrtarët amerikanë.

Stefan Uterloo, tani 19-vjeçar, u ka thënë atyre se ka një xhaxha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por se nuk e mbante mend ku. Ai dyshon se atyre u ka humbur interesi kur e kanë kuptuar se nuk është amerikan, por nga Suriname, një ish-koloni e vogël holandeze në Amerikën e Jugut.

Pesë vjet më vonë, Uterloo akoma i kalon ditët me 25 të rinj të tjerë në një qeli te vetme në “Panorama”, burg i sigurisë së lartë në verilindje të Sirisë.

I ndërtuar nga fondet e koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja kundër ISIS-it dhe i udhëhequr nga aleati, Forcat Demokratike Siriane (SDF), milici kurde, “Panorama” mban disa nga anëtarët më të rrezikshëm të ISIS-it të arrestuar në 2019-n pas rënies së kalifatit të grupit, që është shtrirë përgjatë Sirisë lindore dhe Irakut perëndimor.

Sipas Amnesty International, organizatë joqeveritare për të drejtat e njeriut, në mesin e gati 4000 të burgosurve të ISIS-it që mbahen atje nga SDF-ja, vlerësohet se ka 600 djem dhe të rinj të arrestuar sa ishin fëmijë. Si Uterloo, shumë prej tyre janë sjellë në Siri, pa faj, nga prindërit e tyre për të jetuar nën udhëheqjen e ISIS-it. Tani ata janë duke e arritur moshën 18-vjeçare në burg. Shumica nuk ia kanë idenë se pse janë duke u mbajtur, ose çka do të ndodhë me ta.

“Nuk e di për burrat tjerë”, ka thënë Uterloo. “Por nëse flasim për fëmijët dhe nëse dëshironi ta dini të vërtetën, as ne nuk e dimë pse po ndëshkohemi. Kemi kaluar pesë vjet në këtë burg... Nuk e dimë se çfarë kemi bërë. Jemi duke u ndëshkuar për shkak të prindërve tanë”.

Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe grupet e të drejtave të njeriut, për një kohë të gjatë kanë paralajmëruar për krizën humanitare dhe ligjore me të cilat po përballen fëmijët e luftëtarëve të ISIS-it, të cilët janë mbajtur për vite në kampe dhe objekte burgimi në verilindje të Sirisë. Por nuk ka pasur konsensus se çfarë duhet të bëhet me ta. Tani, ndërsa SHBA-ja e ka ndezur alarmin që grupi militant është duke u përpjekur të riformohet dhe të nisë sulme në Perëndim, është duke i rinovuar përpjekjet për t’i riatdhesuar luftëtarët dhe familjet e tyre që të përballen me drejtësinë në vendet e tyre.

Sipas Amnesty International, 30 mijë fëmijët e vlerësuar që për momentin janë duke u mbajtur në 27 objekte burgimi dhe dy kampe dënimi – “Al-Hol” dhe “Al-Roj” – paraqesin përqendrimin më të lartë të fëmijëve të dënuar dhe të privuar nga liria e tyre në botë.

CNN-it i është dhënë qasje e rrallë në këto kampe dhe objekte, duke e përfshirë burgun “Panorama”. Ka qenë hera e parë që SDF-ja i ka lejuar gazetarët brenda këtij burgu, që nga 2021-ta dhe ka ndodhur një muaj pas lëshimit të raportit nga Amnesty International, ku SDF-ja është akuzuar për mbajtje të të burgosurve në “kushte johumane”. Sipas raportit, të burgosurit kanë qenë subjekt i torturave, mungesës së ushqimit dhe kujdesit shëndetësor, çka ka çuar në shpërndarje të tuberkulozit brenda burgut.

SDF-ja shpejt i ka mohuar këto pretendime. Komandanti i lartë i saj Mazloum Abdi ka thënë se pretendimet e grupit, “nuk janë në përputhje me realitetin”.

“Në vend se t’i dënojnë veprimet tona dhe t’i quajnë shkelje të të drejtave të njeriut, këto organizata duhet të na ndihmojnë në programin tonë”, ka thënë Abdi.

Në dy qelitë, ku CNN-i është lejuar nën vëzhgimin e SDF-së, të burgosurit duken të jenë në formë të mirë fizike, të ulur në hapësirat e pastra, të sapo ndërtuara dhe me kondicionerë të ajrit. Por SDF-ja e ka pranuar se tuberkulozi është shpërndarë në burg, duke shkaktuar pesë vdekje në muaj dhe kolli i të burgosurve është dëgjuar nëpër korridore.

Zyrtarët kanë thënë se të burgosurit kalojnë deri në 23 orë në ditë në qelitë e tyre dhe mbahen pa akuza. Grupet e avokatëve e karakterizojnë këtë si “vrimë të zezë ligjore”.

‘Tokë pjellore për gjeneratën e ardhshme të ISIS-it’

Në “At-Hol”, kamp dënimi me tenda të venitura, me tela me gjemba të ndryshkura, shkalla e problemit vërehet vet.

Ka rreth 40 mijë njerëz në kamp, ku individët me lidhje me ISIS-in jetojnë se bashku me disa nga viktimat e zhvendosura të vet ISIS-it.

Një aneks i sigurisë së lartë mban diku 6700 gra dhe fëmijë të lidhur me luftëtarët e ISIS-it nga më shumë se 60 vende, të cilët janë mbledhur dhe janë dërguar në “Al-Hol” teksa SDF-ja e ka rrethuar dhe më në fund e ka mundur grupin në bastionin e tij të fundit, në Baghouz të Sirisë lindore, në vitin 2019. Më shumë se gjysma e atyre që mbahen në kamp janë fëmijë, shumica të moshës nën 12-vjeçare.

Përtej pasojave ligjore të ndalimit të tyre arbitrar ka edhe rreziqe të qarta sigurie. Erik Kurilla, kreu i Komandës Qendrore të Ushtrisë Amerikane, ka thënë në një deklaratë, pas një prej vizitave të tij në “Al-Hol” në vitin 2022, se kampi ishte si "bombë me sahat".

“Ky vend është terren pjellor për gjeneratën e ardhshme të ISIS-it”, ka thënë ai. “Këta të rinj janë të cenueshëm ndaj radikalizmit, duke e marrë parasysh cilësinë e dobët të jetesës së tyre”.

Një zyrtar i SHBA-së e ka thënë më drejtpërdrejt: “ISIS-i dëshiron t’i mbajë të gjithë atje besnikë dhe të gatshëm”.

Çdo muaj dhjetëra djem 10 deri 15-vjeçarë kontrabandohen jashtë “Al-Holit” për në kampet trajnuese të ISIS-it, sipas zyrtarëve. Gjatë bastisjeve të sigurisë së “Al-Holit”, zyrtarët e SDF-së thonë se shpesh gjejnë telefona me video të trajnimeve, së bashku me prova të tmerrshme të vrasjeve nga mbështetësit e ISIS-it.

Në një video, një grua akuzohet për bashkëpunim me administratorët e kampit. Ajo është rrahur dhe pastaj i është hequr koka brenda “Al-Holit” – dënimi i ISIS-it, të cilin bota ka shpresuar të mos e shoh më kurrë.

SDF-ja dhe SHBA-ja kanë qenë duke i shtyrë vendet për t’i riatdhesuar qytetarët nga Siria, duke thënë se kjo është e vetmja zgjidhje për këtë situatë komplekse dhe të rrezikshme.

Numri i të burgosurve në “Al-Hol” është ulur për 42% nga 73 mijë në vitin 2019, sipas zyrtarëve të SHBA-së, të cilët thonë se procesi ka qenë i ngadaltë dhe se shumë prej tyre, duke i përfshirë aleatët që mund ta revokojnë më lehtë shtetësinë sesa SHBA-ja, janë ende duke i zvarritur procedurat.

“Është e padobishme”, ka thënë zyrtari i lartë i SHBA-së.

Duke i komplikuar gjërat, pjesa e madhe e të burgosurve të kampit janë nga vendet që nuk kanë aleancë me koalicionin e SHBA-së, në mesin e tyre rusë, ujgurë kinezë dhe sirianë nga zonat e regjimit, duke e bërë joreale perspektivën e mbylljes së përhershme të ‘Al-Holit”, të paktën për tani. Me shkallën aktuale të riatdhesimit, zyrtarët thonë se do të duhen të paktën shtatë vjet për ta përgjysmuar popullsinë aktuale të kampit.

Të marrë nga nënat natën

Si tentativë, SDF-ja ka prezantuar një politikë zyrtare që i ndan djemtë e moshës 14-vjeçare nga nënat e tyre, duke i vendosur në objektet e ndërtuara për dy qëllime, të cilat i quan qendra “rehabilitimi”. CNN-i ka takuar fëmijë 11-vjeçar në njërën nga qendrat, duke sugjeruar se zyrtarët e kampeve po e shkelin atë politikë. Një grua në “Al-Hol” ka pretenduar se djali i saj 10-vjeçar është arrestuar për shkak se është përpjekur të arratiset nga kampi dhe djemtë shpesh i marrin kur mbushin moshën 12-vjeçare.

SDF-ja thotë se politika është e rëndësishme për t’i ndaluar djemtë nga radikalizmi prej nënave dhe ta parandalojnë lindjen e gjeneratës së re të luftëtarëve të ISIS-it në kampe. Ata tregojnë se janë regjistruar 60 lindje në muaj në “Al-Hol” si provë që djemtë e rinj veç se janë duke u martuar.

Por politika është shkelje e të drejtës ndërkombëtare, sipas ish-raportueses speciale të OKB-së për kundërterrorizëm dhe të drejtat e njeriut, Fionnuala Ní Aoláin.

“Na fut në zonën e krimeve të luftës”, ka thënë Ní Aoláini. “Nuk ka proces ligjor që e justifikon këtë... kërkohet proces gjyqësor dhe marrja e fëmijës nga nëna është zgjidhja e fundit, pasi ke provuar gjithçka tjetër. Nuk është as zgjidhje e fundit e as proces ligjor, por është përgjithësisht proces mjaft i dhunshëm dhe arbitrar”.

“Askush nuk po kundërshton se situata në ‘Al-Hol’ është edhe jooptimale, e rrezikshme, e papërshtatshme për fëmijët, me ekspozim ndaj dhunës strukturore dhe të drejtpërdrejtë, por gjithashtu askush nuk po merr përgjegjësinë për vetë ekzistencën e atyre kampeve”, ka shtuar ajo.

Alternativa, sipas zyrtarëve të SDF-së, është më e keqe.

Në krahasim me “Al-Holin”, qendra e “rehabilitimit” “Orkesh”, ku disa djem dhe të rinj janë të burgosur, duket si vend i shenjtë. Oborri i brendshëm ka një fushë futbolli, ku gati çdo mëngjes para nxehtësisë së madhe, Shamil Chakari shënon gola.

Chakari nuk e huq gati asnjëherë portën. Adoleshenti i gjatë dhe i hollë nga Këln, Gjermani, është marrë nga prindërit në ish-kryeqytetin e ISIS-it, Raqqa.

Ai lëviz me lehtësi nëpër fushë, por një lëndim nga predha, shenja e së cilës vërehet akoma në kokën e tij, e ka lënë të hutuar. Kur ai ulet për të folur, nuk e di moshën e tij. Por kujtimi i natës kur është dërguar në “Al-Hol” nga forcat e SDF-së është akoma i freskët.

“Një burrë erdhi, më ngriti në këmbë dhe m’i lidhi duart pas shpinës”, ka thënë Shamili. “Nëna ime bërtiste ‘Lëreni të qetë’. Nuk doja të shkoja me ta. Ai më shtyu, duke më thënë t’i mbathja këpucët, por nuk e bëra. Atëherë më goditi”.

Djemtë e tjerë kanë histori të ngjashme të ndarjes së dhunshme. Të gjithëve u mungon nëna. Por jetët e tyre kanë ndryshuar gjithashtu. Në qendër, ata kanë dhoma me krevate, tri shujta në ditë dhe mbështetje psikologjike pesë ditë gjatë javës.

‘Më përpara do ta zgjidhja burgun amerikan’

Shanset e dyta janë të pamundura të ndodhin. Për ata që janë të burgosur, kërkohet pendimi dhe falja jepet rrallë. Por kur ndodh, ndodh në kampin “Al-Roj”.

Është më i vogël dhe më i menaxhueshëm sesa “Al-Holi” dhe është vendi ku transferohen të burgosurit ndërkombëtarë përpara riatdhesimit.

Në maj, 50-vjeçarja amerikane Brandy Salman dhe nëntë fëmijët e saj, të moshave 7 deri 26-vjeçare, së bashku me dy djem të një burri nga Minnesota, janë larguar nga “Al-Roji” në riatdhesimin më të madh për në SHBA ndonjëherë.

Ka akoma shumë amerikanë në “Al-Roj”, sipas zyrtarëve të SHBA-së, të cilët janë duke u përpjekur t’i rikthejnë.

Por për tani, Hoda Muthana, grua e lindur në Amerikë, nuk është një prej tyre. Ajo ka ngecur në “Al-Roj” për më shumë se pesë vjet me djalin e saj tani 7-vjeçar. Ajo njihet në kamp si grua që flet hapur. Ajo nuk mban perçe dhe ka shkruar sharje ndaj ISIS-it në murin jashtë tendës së saj.

E rritur në Alabama, ajo është larguar nga familja në moshën 20-vjeçare për të jetuar nën udhëheqjen e ISIS-it, pasi është tërhequr nga propaganda e grupit në rrjetet sociale. Ajo është bërë vet propagandiste e njohur e ISIS-it, duke i brohoritur sulmet e tyre në Twitter dhe duke u bërë thirrje njerëzve t’i bashkëngjiten kalifatit. Muthana e mohon se ka postuar personalisht në Twitter, duke treguar se ia kanë marrë telefonin kur i është bashkëngjitur ISIS-it, vendim për të cilin pendohet thellësisht.

Ndërsa djali i saj rritet, duke iu afruar moshën e ndarjes së detyruar, ajo jeton në frikë konstante për të ardhmen e tij.

Avokatët e saj amerikanë janë duke vazhduar të insistojnë për riatdhesimin e saj dhe të djalit, pasi administrata e Trumpit ia ka tërhequr pasaportën, për shkak të një problemi teknik në vitin 2019 dhe ka thënë se ajo nuk është më shtetase e SHBA-së.

E lënë me pak opsione, pasi Gjykata Supreme ka refuzuar t’ia dëgjonte apelin, ekipi i saj ligjor i ka kërkuar Departamentit të Shtetit për një certifikatë identiteti që të vërtetohet statusi i saj.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit ka thënë se nuk e ka ndryshuar qëndrimin sa i përket statusit të shtetësisë së Muthanas. “Hoda Muthana nuk është shtetase amerikane. Sipas Departamentit të Shtetit dhe gjykatës, ajo asnjëherë nuk ka qenë shtetase. Për arsye private, nuk mund të komentojmë më tutje”, ka thënë zëdhënësi.

Avokatja e Muthanas, Christina Jump ka thënë se qëndrimi i departamentit është hipokrit në rastin më të mirë dhe i pandershëm në rastin më të keq.

“Nëse Hoda Muthana nuk është shtetase amerikane, atëherë ajo është pa shtetësi, e kjo është shkelje e ligjit ndërkombëtar dhe bie në kundërshtim me atë që qeveria amerikane ka deklaruar se vendet e tjera nuk mund dhe nuk duhet ta bëjnë,” ka thënë Jumpi.

Jashtë tendës, e rrethuar nga lodrat dhe librat e djalit të saj, Muthana ka thënë se krejt çka ka dashur ishte të kthehej në shtëpi, edhe nëse nënkuptonte të futej në burg.

“Nëse do të më duhej të kaloja kohë në burg, do ta bëja, do të dilja dhe do ta filloja jetën me djalin tim”, ka thënë ajo. “Nëse do të kisha mundësi zgjedhje mes burgut amerikan dhe këtij kampi, më përpara do ta zgjidhja burgun amerikan”.