Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, ka thënë në Indi se administrata e Donald Trumpit po synon “të ribalancojë tregtinë globale” dhe ka njoftuar në se bisedimet me kryeministrin e Indisë, Narendra Modi ata "kanë finalizuar zyrtarisht termat e referencës për negociatat tregtare”, raporton The Guardian.
“Ne duam të bashkëpunojmë me njerëz dhe vende që njohin natyrën historike të momentit në të cilin ndodhemi, nevojën për t'u bashkuar dhe për të ndërtuar diçka vërtet të re, një sistem të tregtisë globale që është i balancuar, një që është i hapur dhe një që është i qëndrueshëm dhe i drejtë”, ka thënë Vance.
"Partnerët e Amerikës nuk duhet të duken tamam si Amerika, as qeveritë tona nuk duhet të bëjnë gjithçka saktësisht në të njëjtën mënyrë, por ne duhet të kemi disa qëllime të përbashkëta”, ka shtuar Vance.
"Kritikët e kanë sulmuar presidentin tim, presidentin Trump, për fillimin e një lufte tregtare, por asgjë nuk mund të jetë më larg nga e vërteta. Ai kërkon të ribalancojë tregtinë globale në mënyrë që Amerika, me miq si India, të mund të ndërtojë një të ardhme që ia vlen të ketë për të gjithë njerëzit tanë së bashku”, ka thënë ai.
Që prej marrjes së mandatit të dytë, Trumpi ka shkaktuar “trazira globale” duke vënë tarifa ndaj shumë shteteve.
Tarifat ndaj shteteve që kanë tarifa më të larta ndaj SHBA-së i ka pezulluar për 90 ditë, ndërkohë që ndaj Kinës vazhdojnë të mbeten në fuqi.
Trumpi po kërkon negociata tregtare për tarifat, mirëpo Kina nuk ka bërë kërkesë për negociata dhe këmbëngul se nuk do të dorëzohet para presionit të tij.