Udhëheqësit e aleancës ushtarake të NATO-s pritet të miratojnë një nismë për të koordinuar furnizimet me armë për Ukrainën dhe trajnimin e forcave ukrainase, në një samit në Washington javën e ardhshme.
Ministrat e NATO-s ranë dakord muajin e kaluar që aleanca të marrë përsipër pjesën më të madhe të punës së Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes të Ukrainës të udhëhequr nga SHBA-ja, i njohur gjithashtu si grupi Ramstein, që filloi të koordinojë ndihmën ushtarake për Kievin pas pushtimit në vitin 2022.
Disa zyrtarë fillimisht përdorën fjalën “mision” për të përshkruar nismën e re, e cila pritet të jetë nën komandën e një gjenerali të NATO-s me bazë në Gjermani, raporton “Reuters”.
Por diplomatët më pas njoftuan se Gjermania kundërshtoi përdorimin e termit “mision”, duke thënë se ky term nënkupton që NATO-ja do të dërgojë trupa në Ukrainë, lëvizje që aleanca e ka përjashtuar, në mënyrë që të shmanget konflikti i drejtpërdrejtë mes NATO-s dhe forcave ruse.