Kabineti qeveritar i Japonisë ka miratuar eksportin e avionëve të rinj luftarakë me Britaninë e Madhe dhe ltalinë, duke i lehtësuar rregullat e eksportit të armëve.
Ajo do të lejojë shitjen e avionëve në vendet ku Japonia ka nënshkruar pakte mbrojtëse dhe ku s'ka konflikt të vazhdueshëm, ka raportuar BBC-ja të martën.
Ajo është zotuar t'i dyfishojë shpenzimet ushtarake deri në 2027-n, duke përmendur kërcënimet e paraqitur nga Kina dhe Koreja e Veriut. Çdo shitje e avionëve luftarakë do të kërkojë miratimin e kabinetit, kanë thënë autoritetet vendase.
Avionët pritet të vendosen deri në vitin 2035, duke u konsideruar kështu partneriteti i parë i Tokios për zhvillimin e pajisjeve të mbrojtjes me një vend tjetër pos SHBA-në.
Kryeministri japonez, Fumio Kishida, ka thënë se lejimi i eksportit të avionëve luftarakë në vendet e treta është i nevojshëm për të ruajtur besueshmërinë e Tokios si partner në projekte të ardhshme ndërkombëtare.
“Plani për të bërë avionë luftarakë për sigurinë e kombit tonë duhet të realizohet për të siguruar që mbrojtja e kombit tonë nuk do të rrezikohet”, është shprehur zëdhënësi i Qeverisë, Yoshimasa Hayashi.
Por, ministri japonez i Mbrojtjes, Minoru Kihara, ka potencuar se Japonia do të mbetet e përkushtuar ndaj “filozofisë bazë të një kombi pacifist”.