Izraelitët kanë protestuar për javën e 27 me radhë kundër planeve të kryeministrit Benjamin Netanyahu për të dobësuar sistemin gjyqësor. Ky plan ka çuar Izraelin në krizë të thellë politike.
Mijëra njerëz me flamuj izraelitë kanë dalë në rrugët e Tel Avivit për të vazhduar presionin ndaj kryeministrit Netanyahu, i cili së bashku me aleatët ultranacionalistë duan të dobësojnë sistemin gjyqësor që në vitet e fundit ka rrëzuar disa vendime të qeverisë.
Në fillim të javës, mijëra izraelitë bllokuan trafikun dhe aeroportin ndërkombëtar.
Situata është përkeqësuar gjatë kësaj jave kur aleati i Netanyahut Simcha Rotman, i cili kryeson Komitetin për Drejtësi, ka thënë se do ta sjellë në parlament ligjin që do të dobësojë autoritetin e Gjykatës Supreme.
Kjo gjykatë në fillim të vitit kishte rrëzuar vendimin për emërimin e një aleati të Netanyahut si ministër të punëve të brendshme, për shkak se ishte i dënuar për ryshfet.
Kritikët kanë thënë se me dobësimin e gjykatave, qeveria do të kalonte secilin vendim dhe do të kishte shumë pushtet.
Ata kanë shtuar se dobësimi i Gjykatës Supreme ia dobëson demokracinë e Izraelit dhe e dërgon shtetin drejt sistemit autokrat.