Teksa lufta po hyn në javën e katërt, Izraeli e ka zgjeruar operacionin tokësor në Gaza, duke e sulmuar qytetin verior të rripit nga lindja dhe perëndimi. Protestat anti-izrealite kanë vazhduar. Në rajonin rus Dagestan, qindra protestues janë futur në aeroport të dielën mbrëma në pritje të një aeroplani që duhej të aterronte nga Tel – Avivi
Trupat dhe tanket izraelite kanë sulmuar qytetin verior të Gazës nga lindja dhe perëndimi të hënën, tri ditë pasi nisi operacioni tokësore në enklavën palestineze.
Ushtria izraelite ka njoftuar se ka goditur më shumë se 600 objektiva të militantëve të Hamasit, si pjesë e operacionit të zgjeruar në Rripin e Gazës.
Militantët islamikë thanë se kishin zmbrapsur një tentativë për goditje nga tanket izraelite në qytetin e Gazës nga lindja dhe po i luftonin ata në kufirin me Izraelin.
“Detyra jonë sot është të luftojmë pa ndalë”, ka theksuar në një deklaratë grupi militant i Xhihadit Islamik, duke luftuar përkrah Hamasit në pushtet në Gaza, duke shtuar se tani nuk ishte koha për një armëpushim.
Ushtria izraelite ka njoftuar se kishte vrarë katër operativë të shquar të Hamasit. “Trupat e ushtrisë izraelite vranë dhjetëra terroristë që u barrikaduan në ndërtesa dhe tunele dhe u përpoqën të sulmonin trupat”, thuhet në një përditësim.
Izraeli ka përsëritur thirrjet për civilët që të largohen nga veriu i vendit, teksa synon të ndjekë militantët e Hamasit që sipas ushtrisë izraelite janë fshehur në një labirint tunelesh nën qytetin e Gazës.
Sipas Izraelit, 1 mijë e 400 njerëz u vranë kur militantët e Hamasit sulmuan më 7 tetor dhe morën peng 229 izraelitë dhe shtetas të huaj. Hamasi ka liruar katër pengje deri më tash dhe ka thënë se 50 janë vrarë në sulmet hakmarrëse nga Izraeli.
Autoritetet mjekësore në Gazën e drejtuar nga Hamasi, me popullsi prej 2.3 milionë banorësh, kanë njoftuar të hënën se 8 mijë e 306 njerëz - përfshirë 3 mijë e 457 të mitur – janë vrarë.
Konflikti ka çuar në demonstrata të mëdha në mbarë botën në mbështetje të palestinezëve.
Autoritetet ruse kanë bërë të ditur se demonstruesit kanë pushtuar një aeroport në rajonin me shumicë myslimane të Dagestanit të dielën mbrëma. Videot në mediat sociale treguan një turmë të zemëruar në aeroport duke kërkuar njerëz që mbërrinin me një fluturim nga Tel-Avivi. Raportohet për 60 demonstrues të arrestuar.
Agjencia ruse e aviacionit Rosaviatsia ka njoftuar se forcat e sigurisë pas disa orësh vendosën situatën nën kontroll.
Autoritetet mbyllën aeroportin dhe kështu do të qëndrojë deri të martën.
Sulmet e zgjeruara tokësore të Izraelit në Gaza kanë shtuar thirrjet ndërkombëtare për një “pushim humanitar” për të lejuar hyrjen e ndihmave.
Të dielën, kolona më e madhe e ndihmave humanitare deri më tash - 33 kamionë – u fut në Gaza nga Egjipti.
Hamasi ka propozuar një armëpushim pesëditor për të lejuar futjen e ndihmave dhe karburantin në Gaza në këmbim të lirimit të të gjithë pengjeve civile që po i mban ky grup.
Përktheu: Blerta Haxhiu