Sulmet e ushtrisë izraelite kanë vrarë të paktën 40 palestinezë përgjatë Rripit të Gazës të martën, teksa forcat izraelite kanë intensifikuar sulmet në Jabalia në veri të enklavës, në mes të luftimeve me Hamasin, raporton Reuters.
Zyrtarët palestinezë të shëndetësisë kanë thënë se të paktën 11 njerëz janë vrarë nga të shtënat izraelite në Jabalia, më i madhi kamp i refugjatëve të Gazës. 10 të tjerë janë vrarë në lindje të Khan Younisit, kur një raketë izraelite ka goditur një shtëpi.
Herët të martën, një sulm izraelit ka shkatërruar tri shtëpi në periferi të qytetit të Gazës dhe shërbimet emergjente kanë thënë se kanë gjetur dy trupa, teksa vazhdon kërkimi për 12 persona të tjerë, që besohet se kanë qenë në shtëpi në kohën e sulmit.
Pesë të tjerë janë vrarë kur një shtëpi është goditur në kampin Nuseirat në Gazën qendrore.
Jabalia ka qenë fokusi i ofensivës izraelite për më shumë se 10 ditë, me trupat që janë rikthyer në zonat e veriut, e cila është prekur nga bombardime të rënda në muajt e parë të fillimit të luftës një-vjeçare.
Operacioni ka rritur shqetësimet në mesin e palestinezëve dhe agjencive të OKB-së, se Izraeli dëshiron t’i zhdukë banorët nga veriu i enklavës, akuzë që e ka mohuar.
Zyra e të drejtave të njeriut e OKB-së ka thënë të martën se ushtria izraelite duket sikur “po e ndan plotësisht Gazën veriore nga pjesa tjetër e Rripit të Gazës”.
“Në mesin e sulmeve të vazhdueshme dhe urdhrave të evakuimit në Gazën veriore, familjet po përballen me frikë të paimagjinueshme, humbje të të dashurve, hutim dhe lodhje. Njerëzit duhet të jenë në gjendje të zhvendosen të sigurt, pa u përballur me rreziqe të tjera”, ka thënë Adrian Zimmerman, kreu i nën-delegacionit të Kryqit të Kuq në Gaza.
“Shumë, përfshirë të sëmurët dhe ata me aftësi të kufizuar, nuk mund të largohen dhe mbeten të mbrojtur nën të drejtën ndërkombëtare humanitare – duhet të merren të gjitha masat e mundshme për t’u siguruar që të mbeten të padëmtuar. Çdo person i zhvendosur ka të drejtë të kthehet në shtëpi i sigurt”, ka shtuar ai.
Ushtria izraelite tani e ka rrethuar kampin Jabalia dhe ka dërguar tanke në qytetet e afërta, Beit Lahiya dhe Beit Hanoun, me qëllim zhdukjen e luftëtarëve të Hamasit që po përpiqen të rigrupohen atje.
Ushtria izraelite u ka thënë banorëve që të largohen nga shtëpitë e tyre dhe të nisen drejt sigurisë në jug të Gazës. Zyrtarët palestinezë dhe të OKB-së kanë thënë se nuk ka vend të sigurt në Gaza.
Sipas OKB-së, rreth 400 mijë njerëz mbeten të bllokuar në Gazën veriore.
Zyrtarët izraelitë kanë thënë se urdhrat e evakuimit kishin për qëllim ndarjen e luftëtarëve të Hamasit nga civilët dhe e kanë mohuar se kishte ndonjë plan sistematik për t’i zhdukur civilët nga Jabalia ose zonat e tjera veriore.
Krahu i armatosur i Hamasit ka thënë se luftëtarët ishin përfshirë në beteja të ashpra me forcat izraelite në dhe rreth Jabalias.