Izraeli raportohet se ka vendosur artileri shtesë dhe personel të armatosur në periferi të Rripit të Gazës, duke nënkuptuar se ushtria e tij është duke u përgatitur për ofensivën e paralajmëruar që një kohë në Rafah, ku 1,4 milionë civilë palestinezë janë të strehuar.
E përditshmja izraelite Ma’ariv ka thënë po ashtu të mërkurën se trupat janë vënë në gatishmëri dhe se “parimet qeveritare për operacionin” janë aprovuar nga Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF), shtabi i përgjithshëm dhe ministri i Mbrojtjes, Yoav Gallant, raporton The Guardian.
IDF-ja e ka konfirmuar të martën se është duke blerë 40,00 tenda për tu përgatitur për evakuimin e qindra e mijëra civilëve të zhvendosur të cilët kanë kërkuar strehim në Rafah, qyteti më jugor në Rripin e Gazës. Rafahu është zona e vetme e madhe urbane në territorin e të cilës forcat tokësore të Izraelit nuk kanë hyrë ende.
Operacioni i ri në luftën gjashtëmujore kundër grupit militant palestinez Hamas thuhet se do të fokusohet së pari në sigurimin e Gazës veriore dhe qendrore, veçanërisht në vargun e kampeve të refugjatëve rreth qytetit Deir al-Balah, ka shkruar Ma'ariv.
Kjo vjen dhjetë ditë pasi Izraeli tërhoqi pjesën më të madhe të forcave të tij tokësore nga Rripi, duke lënë një divizion për të menaxhuar Korridorin Netzarim, tampon i ndërtuar nga Izraeli që tani ndan territorin bregdetar.
Por palestinezët në terren kanë thënë se kishte pasur një prani të përtërirë të trupave tokësore izraelite në Gazën veriore këtë javë, duke përfshirë në Beit Hanoun, ku tanket rrethuan ndërtesat e shkollave ku ishin strehuar njerëzit e zhvendosur.
Gjatë natës, sulmet ajrore izraelite goditën Rafahun dhe disa zona të tjera urbane. Wafa, agjencia palestineze e lajmeve, ka thënë se gjashtë persona u vranë nga bombardimi i një tregu në qytetin e Gazës.
Izraeli ka thënë për javë të tëra se do të nisë një operacion tokësor në cepin e fundit të Gazës që nuk ka parë luftime të ashpra tokësore, pavarësisht kundërshtimit të fortë nga aleatët e tij më të afërt, përfshirë SHBA-në.
Izraeli thotë se udhëheqja e Hamasit dhe pengjet izraelitë janë gjithashtu në Rafah, së bashku me katër batalione luftëtarësh.