Botë

Izraeli vazhdon ta godasë Hezbollahun me gjithë forcën, pavarësisht thirrjeve për armëpushim

Liban

Foto: Getty

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, i ka thënë ushtrisë që të vazhdojë të luftojë me “të gjitha forcat” kundër grupit të armatosur të Hezbollahut, pavarësisht thirrjeve nga SHBA-ja dhe të tjerët për armëpushim.

Ministria e Shëndetësisë e Libanit ka thënë se të paktën 92 persona janë vrarë nga sulmet ajrore të Izraelit të enjten, me qindra të tjerë të vrarë që kur sulmet përshkallëzuan të hënën.

Hezbollahu ka konfirmuar se një sulm ajror ka goditur një ndërtesë banimi në Bejrut duke vrarë kreun e njësisë së dronëve, Mohammad Surur.

Frika se një luftë e madhe mes Izraelit dhe Hezbollahut mund të ndodhë është e madhe, raportoi BBC.

Ngritja e tensioneve ka nxitur thirrjen e shteteve të mëdha, përfshirë SHBA-në, Britaninë dhe BE-në, të propozojnë një armëpushim 3-javor mes Izraelit dhe Hezbollahut.

Por, Netanyahu ka thënë se nuk do të ndalojë deri sa të arrijë synimet e veta. Ai ka kërkuar që izraelitët të cilët ishin zhvendosur prej zonave kufitare të rrezikshme, të kthehen në shtëpitë e tyre. Megjithatë, ka shtuar se bisedimet për armëpushim do të vazhdojnë ditët në vijim.