Botë

Izraeli vazhdon sulmet ndaj paqeruajtësve të OKB-së

Paqeruajtësit e OKB-së në Liban

Foto: Associated Press

Forcat izraelite kanë qëlluar në drejtim të një kulle vëzhguese të paqeruajtësve të OKB-së në jug të Libanit të premten, duke lënduar dy persona, ka thënë një burim i OKB-së.

Kjo është dita e tretë që paqeruajtësit kanë raportuar sulme izraelite drejt pozicioneve të tyre, teksa Izraeli vazhdon luftimet me Hezbollahun, raporton Reuters.

Një sulm izraelit të enjten vonë në Bejrut ka vrarë 22 persona dhe ka lënduar me shumë se 100 të tjerë, sipas autoriteteve libaneze. Shënjestra ishte një zyrtar i lartë i Hezbollahut - Wafiq Safa – i cili ka mbijetuar, sipas tri burimeve të sigurisë.

Konflikti mes Izraelit dhe Hezbollahut ka nisur një vit më herët, kur grupi militant ka kryer sulme ndaj Izraelit, në mbështetje të grupit militant Hamas në fillim të luftës në Gaza.

Këto sulme janë intensifikuar shpejt gjatë javëve të fundit, me Izraelin që bombardon periferitë jugore të Beirutit dhe Luginën Bekaa, duke vrarë kështu shumë liderë të lartë të Hezbollahut dhe duke dërguar trupa tokësore në zonat e Libanit jugor.

Burimi i OKB-së ka thënë se kulla e paqeruajtësve të UNIFIL-it e sulmuar nga Izraeli, ndodhet në bazën kryesore në Naqoura. Të enjten, UNIFIL-i ka thënë se dy paqeruajtës të tjerë janë lënduar, kur një tank izraelit ka qëlluar një kullë tjetër të kësaj baze, duke shkaktuar rrëzimin e saj.

Burimi i OKB-së ka thënë se forcat izraelite të premten gjithashtu kanë depërtuar në perimetrin e një pozicioni tjetër të UNIFIL-it, ndaj të cilit kishin qëlluar të enjten.

Ambasadori izraelit i OKB-së, Danny Danon ka thënë të enjten se Izraeli rekomandon që UNIFIL-i të rivendoset rreth 5 kilometra në veri “për t’iu shmangut rrezikut, teksa luftimet intensifikohen”.
Ushtria izraelite ka thënë në një deklaratë të enjten se trupat janë duke operuar në zonën Naqoura, “afër bazës së UNIFIL-it”.

Shefi i paqeruajtësve të OKB-së, Jean-Pierre Lacroix i ka thënë Këshillit të Sigurimit të enjten se siguria e më shumë se 10.400 paqeruajtësve të OKB-së në Liban është “gjithnjë e më shumë në rrezik” dhe se operacionet kanë ndaluar që nga fundi i shtatorit.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se SHBA-ja ishte thellësisht e shqetësuar nga raportimet se forcat izraelite kanë qëlluar mbi pozicionet e OKB-së dhe i kanë bërë presion Izraelit për detaje.