Botë

Izraeli urdhëron evakuimin e një pjese të Gazës që e kishte caktuar si zonë humanitare

Gaza - Khan Younis

Foto: Associated Press

Ushtria izraelite ka urdhëruar të hënën evakuimin e një pjesë të mbushur me njerëz në Rripin e Gazës, të cilën e kishte caktuar si zonë humanitare. Ushtria ka thënë se planifikon një operacion kundër militantëve të Hamasit atje, raporton agjencia “AP”. 

Urdhri shkaktoi një ikje të re të palestinezëve, shumë prej të cilëve ishin vendosur atje vetëm javët e fundit. 

Mijëra palestinezë, shumë prej tyre duke mbajtur çanta shpine dhe me fëmijë, shiheshin duke ecur nëpër rrugët e pluhurosura e në temperatura të nxehta.

“Ne nuk e dimë se ku po ecim”, tha Kholoud Al Dadas, ndërsa po ia shtrëngonte dorën fëmijëve të saj. “Kjo është hera e shtatë apo e tetë që po zhvendosemi. Ndërsa po flinim në shtëpitë tona, ata filluan të gjuanin mbi ne, duke na bombarduar nga kudo”. 

Pjesa më e madhe e zonës që mbulohet nga urdhri i ri, përfshinë pjesët e qytetit jugor Khan Younis, që është mbingarkuar me njerëz që nga fillimi i majit, kur Ushtria izraelite nisi ofensivën në Rafah. 

Të hënën, sulme të shumta ajrore goditën përreth Khan Younisit, duke vrarë të paktën 70 persona, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.

Ministria e Shëndetësisë së Gazës ka thënë se shifra e palestinezëve të vrarë që nga 7 tetori ka kaluar atë 39 mijë.