Botë

Izraeli thotë se ka arrestuar 100 militantë të dyshuar të Hamasit në një spital në Gaza

Ushtria izraelite

Ushtria izraelite ka thënë se ka arrestuar 100 militantë të dyshuar të Hamasit gjatë një sulmi në një spital në Gazën veriore gjatë fundjavës.

Forcat izraelite sulmuan spitalin “Kamal Adëan” në Beit Lahiya të premten, duke arrestuar 44 punonjës burra, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Zyrtarët mjekësorë palestinezë thanë se spitali, i cili po trajtonte rreth 200 pacientë, u dëmtua rëndë gjatë sulmit, raporton AP.

Izraeli ka sulmuar disa spitale në Gaza gjatë luftës njëvjeçare, duke thënë se Hamasi dhe militantët e tjerë i përdorin ato për qëllime ushtarake. 

Zyrtarët mjekësorë palestinezë i mohojnë këto akuza dhe akuzojnë ushtrinë për rrezikimin e pamatur të civilëve.

Ushtria izraelite u ka bërë thirrje palestinezëve që të evakuojnë Gazën veriore, ku ka zhvilluar një ofensivë të madhe për më shumë se tri javë. 

OKB-ja ka thënë në fillim të këtij muaji se të paktën 400,000 njerëz janë ende në veri të Gazës dhe uria është e rritur pasi sasia e ndihmave humanitare që arrin në veri ka rënë gjatë muajit të kaluar.

Numri i të vdekurve në Gaza që kur ka nisur lufta, më shumë se një vit më parë, ka shkuar në 43,000 palestinezë, sipas autoriteteve lokale shëndetësore, të cilët nuk bëjnë dallime mes militantëve dhe civilëve, por thonë se më shumë se gjysma janë gra dhe fëmijë. 

Lufta Izrael-Hamas filloi pasi militantët e udhëhequr nga Hamasi, më 7 tetor 2023, hynë në Izraelin jugor duke vrarë rreth 1200 njerëz, kryesisht civilë, dhe duke rrëmbyer 250 të tjerë.