Botë

Izraeli thotë se janë kryer luftime intensive me Hezbollahun në jug të Libanit

Liban

Foto: AP

Izraeli ka thënë se janë kryer luftime intensive me Hezbollahun në jug të Libanit të martën, pasi parashutistët dhe komandot izraelite kanë filluar bastisjet atje, pas nisjes së inkursionit tokësor dhe sulmeve ajrore shkatërruese kundër lidershipit të Hezbollahut.

Sipas tyre, forcat ajrore dhe artileria kanë mbështetur trupat tokësore të angazhuara me kryerjen e “sulmeve të kufizuara, të lokalizuara dhe të shënjestruara nga toka” kundër Hezbollahut në fshatrat e Libanit jugor, të cilat kanë përbërë “kërcënim ndaj komuniteteve izraelite në Izraelin verior”, raporton Reuters.

Kryeministri libanez, Najib Mikati, ka thënë se vendi i tij po përballet me “një nga fazat më të rrezikshme” në historinë e tij, gjatë një takimi në OKB, disa orë pasi trupat izraelite kanë kaluar kufirin jugor të Libanit.

Dy burime të sigurisë së Libanit kanë thënë se njësitet izraelite e kanë kaluar kufirin e Libanit gatë natës për operacione të zbulimit dhe të hetimit. Trupat libaneze janë tërhequr gjithashtu nga pozicionet përgjatë kufirit, ka shtuar burimi.

Hezbollahu ka thënë të martën se ka nisur sulme me raketa dhe artileri kundër trupave izraelite që ndodheshin brenda kufirit të Izraelit, por nuk ka përmendur forcat izraelite që kanë kaluar kufirin e Libanit.

Ushtria izraelite ka lëshuar paralajmërime për qytetarët që të mos i lëvizin automjetet e tyre nga veriu i lumit Litani në jug. Më herët ka thënë se po përpiqet ta largojë Hezbollahun nga jugu i lumit.

Një zyrtar i lartë i sigurisë i ka thënë BBC-së se forcat izraelite tokësore janë afruar në distancë të vogël në Liban dhe se deri më tani nuk ka pasur “përplasje”.

“Jemi duke folur për shënjestrimin e pistave të raketave dhe artilerisë së Hezbollahut, infrastrukturën e tyre afër komuniteteve në veri të Izraelit”, ka thënë zyrtari. 

“Nuk mund t’ju tregoj numrat e saktë të trupave, por mund t’ju them se nuk janë numra për të qenë pushtim i madh tokësor”, ka shtuar zyrtari, duke e përshkruar ndërhyrjen si “të limituar” dhe duke thënë se nuk është si operacionet izraelite në Gaza.

Izraeli i ka shkaktuar humbje të mëdha Hezbollahut, përfaqësuesi më i fuqishëm i Iranit në Lindjen e Mesme, duke e vrarë liderin e tij Hassan Nasrallah në Bejrut javën e kaluar, e duke eliminuar kështu një figurë të jashtëzakonshme që e ka kthyer grupin në fuqinë më të lartë ushtarake dhe politike të Libanit.

Pavarësisht sukseseve të mëdha kundër Hezbollahut në dekada, Izraeli ka treguar se është i përgatitur për një pushtim të plotë të Libanit, me qëllim rikthimin e sigurt të mijëra qytetarëve izraelitë që janë larguar prej sulmeve të Hezbollahut nga rajonet e tyre pranë kufirit verior.