Botë

Izraeli thotë se i ka nxjerrë nga Gaza trupat e gjashtë pengjeve

Pengjet izraelite trupat e te cilave u nxorren nga ushtria izraelite me 31 gusht, 2024

Izraeli ka thënë se i ka nxjerrë nga Gaza trupat e gjashtë pengjeve që po mbaheshin nga Hamasi, raporton “BBC”. 

Në një komunikatë, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF), kanë thënë se trupat u zbuluan të shtunën në një tunel nëntokësor në rajonin e Rafahut. 

IDF-ja zbuluar emrat e pengjeve trupat e të cilëve u nxorën nga Gaza. Bëhet fjalë për Carmel Cat, Eden Yerushalmi, Hersh Goldberg-Polin, Alexander Lobanov, Almog Sarusi dhe Ori Danino. 

Zëdhënësi i Ushtrisë izraelite Daniel Hagari ka thënë se sipas vlerësime fillestare dyshohet se “ata janë vrarë brutalisht nga terroristët e Hamasit pak para se të arrinim te ta”. 

Pasi është konfirmuar vdekja e Goldberg-Polin – një shtetas amerikan – presidenti i SHBA-së, Joe Biden tha se “është i shkatërruar dhe i indinjuar”. 

Në deklaratën të dielën në mëngjes, IDF tha se “trupat janë kthyer në territorin izraelit”. 

“Ata u morën të gjithë peng më 7 tetor (2023) dhe u vranë nga organizata terroriste e Hamasit në Rripin e Gazës”, u tha nga IDF. 

Në deklaratë thuhet se familjarët janë njoftuar tashmë. E Biden tha se “Hersh ishte në mesin e të pafajshmëve që u sulmua brutalisht ndërsa po merrte pjesë në një festival muzikor për paqe në Izrael më 7 tetor”. 

“Ai humbi dorën duke ndihmuar shokët dhe të huajt gjatë masakrës së Hamasit. Vetëm sa kishte mbushur 23 vjet. Po planifikonte të udhëtonte nëpër botë. Kam njohur prindërit e tij Jon dhe Rachel. Ata ishin të guximshëm, të mençur dhe të palëkundur, ndonëse duruan të paimagjinueshmen”, tha Biden.

Izraeli nisi një ofensivë ushtarake në Gaza për ta shkatërruar Hamasin pas sulmit të paprecedentë të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor. Gjatë këtij sulmi u vranë rreth 1200 persona e u morën 251 pengje. 

Më shumë se 40 mijë e 530 persona janë vrarë në Gaza në ofensivën izraelite, sipas shifrave të Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës. 

Ndërmjetësuesit e SHBA-së, Egjiptit dhe Katarit po përpiqen të ndërmjetësojnë një marrëveshje armëpushimi gjatë të cilës Hamasi do të lironte 97 pengje që ende dyshohet se i mban, në këmbim të  të burgosurve palestinezë që mbahen në burgjet izraelite. Nga 97 pengje, 27 prej tyre dyshohet se kanë vdekur tashmë.