Izraeli do ta vazhdojë ofensivën e re në Gaza derisa Hamasi të lirojë të gjithë pengjet dhe të hiqen të gjitha kërcënimet ndaj banorëve të jugut [të Izraelit], ka thënë të martën ministri i Mbrojtjes i vendit, Israel Katz.
Deklarata e tij ka nxitur shqetësime se lufta mund të vazhdojë sërish për javë apo muaj.
“Hamasi duhet të kuptojë se rregullat e lojës kanë ndryshuar”, u tha Katz gazetarëve gjatë një vizite në një bazë ajrore, duke paralajmëruar se “portat e ferrit do të hapen dhe do të përballen me fuqinë e plotë të IDF-së (ushtrisë izraelite) në ajër, në det dhe në tokë” nëse pengjet e mbetura nuk lirohen.
Paralajmërimi vjen në ditën kur Izraelit ka nisur valë sulmesh ajrore që vranë më shumë se 400 njerëz, dita më e përgjakshme e dhunës që nga muajt e parë të luftës në vitin 2023. Gjithashtu, Izraeli theu armëpushimin me Hamasin që u arrit në mesin e janarit.
Rreh 60 pengje ende janë në dorën e Hamasit.
Hamasi ka thënë se lirimi i pengjeve duhej të bëhej vetëm gjatë një faze të dytë që ishte rënë dakord në janar, por që atëherë Izraeli ka refuzuar ta diskutojë ose zbatojë.
Faza e parë e armëpushimit të rënë dakord në janar përfshinte kthimin e 25 pengjeve të gjallë izraelitë dhe eshtrat e tetë izraelitëve të vdekur nga grupet militante në Gaza në këmbim të rreth 1900 të burgosurve palestinezë të mbajtur në burgjet izraelite.