Botë

Izraeli sulmon një kompleks të gazetarëve në Liban, vriten tre punonjës

media liban

Foto: Associated Press

Një sulm ajror izraelit mbi një kompleks ku strehohen gazetarë në Libanin juglindor ka vrarë tre punonjës të mediave, ka raportuar të premten Agjencia Kombëtare e Lajmeve e Libanit.

Stacioni lokal i lajmeve “Al Jadeed” transmetoi pamje nga vendi i ngjarjes  ku shihej një ndërtesë që ishte marrë me qira nga media të ndryshme - duke treguar objekte të shembura dhe vetura të shënuara “PRESS” nën rrënoja. Ushtria izraelite nuk lëshoi ​​paralajmërim para sulmit.

Televizioni “Al-Mayadeen” me bazë në Bejrut ka raportuar se dy nga punonjësit e tij - kameramani Ghassan Najar dhe tekniku i transmetimit Mohammed Rida - ishin në mesin e gazetarëve të vrarë. Televizioni “Al-Manar” i grupit Hezbollah raportoi se kameramani Wissam Qassim u vra gjithashtu në sulmin ajror në rajonin Hasbaya.

Disa gazetarë janë vrarë në luftimet përgjatë kufirit Liban-Izrael që nga tetori i vitit të kaluar.