Botë

Izraeli sulmon nga ajri Beirutin, shënjestër një komandant i lartë i Hezbollahut

Ndërtesa që ishte objektiv i ushtrisë izraelite në Bejrut

Ndërtesa që ishte objektiv i ushtrisë izraelite në Bejrut

Një shpërthim i fuqishëm është dëgjuar në kryeqendrën e Libanit rreth orës 20:00 të martën në zonën që njihet si fortesë e grupit militant Hezbollah. “Forcat e Mbrojtjes së Izraelit kanë kryer një sulm të shënjestruar në Beirut. Shënjestër ishte një komandantin përgjegjës për vrasjen e fëmijëve në Majdal Shams dhe vrasjen e disa qytetarëve tjerë izraelitë”, është thënë nga Ushtria e Izraelit.

 Izraeli ka kryer një sulm ajror në pjesën jugore të kryeqendrës së Libanit, Beirut të martën mbrëma, duke shënjestruar një komandant të Hezbollahut që po fajësohet për sulmin me raketa në fundjavë nga i cili mbetën të vrarë 12 fëmijë, është njoftuar nga zëdhënësi i Ushtrisë izraelite, raporton "The Guardian". 

Një shpërthim i fuqishëm është dëgjuar në kryeqendrën e Libanit rreth orës 20:00 me kohë lokale ndërsa ka dalë tym nga zona që e goditur që njihet si fortesë e grupit militant Hezbollah. 

“Forcat e Mbrojtjes së Izraelit kanë kryer një sulm të shënjestruar në Beirut. Shënjestër ishte komandanti përgjegjës për vrasjen e fëmijëve në Majdal Shams dhe vrasjen e disa qytetarëve tjerë izraelitë”, është thënë nga Ushtria e Izraelit.

Raportohet se shënjestër e Izraelit ishte komandanti Fuad Shukr. Shukr besohet se i ka shpëtuar sulmit. 

Beiruti po përgatitje për një sulm hakmarrës izraelit pas një sulmi me raketa të shtunën në Rrafshnaltën Golan të okupuar, ku u vranë 12 fëmijë e adoleshentë në një fushë futbolli. 

Izraeli dhe SHBA-ja e kanë fajësuar Hezbollahun për sulmin. Hezbollahu e ka mohuar përgjegjësinë. 
SHBA-ja kishte drejtuar përpjekjet diplomatike për ta bindur Izraelin që të mos e godasë Beirutin apo infrastrukturën libaneze, në tentim për të parandaluar një konflikt të shkallës së plotë. 

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, kishte premtuar reagim të ashpër, dhe një sulm me raketa në veri të Izraelit të martën që vrau një civil, me gjasë ka shtuar presionin politik përbrenda Izraelit për një sulm të fuqishëm kundër Hezbollahut. 

Shtetet përfshirë SHBA-në, Britaninë e Madhe, Gjermaninë e Francës u kanë bërë thirrje qytetarëve të tyre të largohen nga Libani apo të mos udhëtojnë atje. Sekretari i Jashtëm i Britanisë, David Lammy, ka thënë të martën në mëngjes se gjërat po lëvizin shpejt dhe janë këshilluar britanikët të largohen nga Libani dhe të mos udhëtojnë atje. 

Shumë kompani ajrore kanë anuluar fluturimet për në Beirut. Kompania greke, Aegean Airlines dhe ajo gjermane Condor ishin të radhës që pezulluan shërbimet, duke iu bashkuar Royal Jordanian, Air France dhe Lufthansa. 

Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Lloyd Austin, ka thënë të martën se nuk beson se është e paevitueshme një luftë e shkallës së plotë. Diplomatët amerikanë u kanë bërë thirrje palëve të përmbahen, duke i dërguar mesazhe Hezbollahut nëpërmjet ndërmjetësve, përfshirë ministrit të Jashtëm të Libanit. 

“Ndërsa po shohim shumë aktivitet në kufirin verior të Izraelit, ne mbesim të shqetësuar për mundësinë e përshkallëzimit të një lufte të shkallës së plotë. Dhe nuk beson se lufta është e paevitueshme. Ne dëshirojmë të shohim gjërat të zgjidhen në mënyrë diplomatike”, ka thënë Austin. 
Austin ka folur në një konferencë të përbashkët për media në Manila të Filipineve.