Një prej gjeneralëve kryesorë amerikanë, ka thënë se Izraeli nuk i ka marrë nga SHBA-ja të gjitha armët që ia ka kërkuar.
Gjenerali Charles Q.Brown, ka deklaruar se arsyeja pse ka ndodhur kështu është sepse kjo mund të ndikonte në gatishmërinë e ushtrisë amerikane dhe se ekzistonin kapacitete të limituara në këtë aspekt, raportoi Reuters.
Washingtoni jep 3,8 miliardë dollarë ndihmë të përvjetshme ushtarake për Izraelin, një aleat i saj që një kohë të gjatë.
Shtetet e Bashkuara kanë nxituar për të dërguar mbrojtje ajrore dhe municione drejt Izraelit, por disa demokratë dhe grupe arabo-amerikane kanë kritikuar mbështetjen e palëkundur të administratës Biden për Izraelin, e cila sipas tyre i jep atij një ndjenjë mosndëshkimi.
“Ndonëse i kemi mbështetur, ata nuk kanë pranuar gjithçka që kanë kërkuar”, ka deklaruar Q.Brown, kryetari i Shtabit të Përbashkët të SHBA-së.
"Kjo është sepse ata kanë kërkuar gjëra që ne ose nuk kemi kapacitet t'i ofrojmë ose nuk dëshirojmë t'i ofrojmë, jo tani”, ka thënë Brown.
Një zëdhënës i Brownit më vonë të enjten ka thënë se komentet e tij i referoheshin "një praktike standarde përpara se SHBA-ja të ofronte ndihmë ushtarake për ndonjë nga aleatët dhe partnerët".
"Ne vlerësojmë rezervat e SHBA-së dhe çdo ndikim të mundshëm në gatishmërinë tonë për të përcaktuar aftësinë tonë për të ofruar ndihmën e kërkuar”, ka thënë në një deklaratë kapiteni i marinës Jereal Dorsey.
"Nuk ka asnjë ndryshim në politikën e SHBA-së. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të ofrojnë ndihmë sigurie për aleatin tonë Izraelin ndërsa mbron veten nga Hamasi”, ka shtuar Dorsey.
Më shumë se 32,000 palestinezë janë vrarë në Rripin e Gazës nga ofensiva shkatërruese e Izraelit, sipas autoriteteve shëndetësore në territor.
Izraeli u hakmor pas një sulmi nga grupi militant Hamas në Izraelin jugor më 7 tetor, duke vrarë 1,200 njerëz dhe rrëmbyer 253 pengje sipas raporteve izraelite.