Botë

Izraeli s’e dëgjon SHBA-në, u bën thirrje palestinezëve të largohen nga Rafahu

Rafah

Izraeli u ka kërkuar dhjetëra mijëra palestinezëve që të largohen nga qyteti i Rafahut, ndërsa shton operacionet ushtarake në Gazën jugore, pavarësisht paralajmërimeve nga Shtetet e Bashkuara se një ofensivë e re mund të çojë në më shumë viktima civile, shkruan BBC të dielën.

Disa pjesë të Rafahut duken tani si qytet fantazmë, edhe pse vetëm pak ditë më parë rrugët ishin të mbushura me vendas dhe njerëz të zhvendosur.

Izraeli ka thënë se do të vazhdojë me operacionet e planifikuara në qytet pavarësisht paralajmërimeve nga SHBA-ja dhe aleatët e tjerë se ofensiva tokësore mund të çojë në viktima masive civile dhe krizë humanitare.

Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë dje se armëpushimi në Gaza është i mundur që të nesërmen nëse Hamasi liron pengjet.

“Izraeli tha se është në dorën e Hamasit dhe ne mund ta përfundojmë këtë nesër nëse ata duan. Dhe armëpushimi do të fillojë nesër”, ka thënë Biden.

Izraeli thotë se 128 persona të marrë peng nga Hamasi më 7 tetor janë të zhdukur, ndërsa 36 kanë vdekur.

Dëshmitarët raportuan sulme ajrore pranë kufirit me Egjiptin dje, ndërsa imazhet nga Rafahu treguan tym mbi qytet.

Gjatë ditës së kaluar, dhjetëra sulme ajrore izraelite u raportuan në të gjithë Rripin e Gazës.