Gaza

Izraeli rihap një pikëkalim kyç për hyrjen e ndihmave në Gaza

Izrael - pika kufitare

Ushtria izraelite tha të mërkurën se ka rihapur pikëkalimin Kerem Shalom në Gaza, një pikë kyçe për fytjen e ndihmave humanitare, raporton agjencia “AP”. Kjo pikë ishte mbyllur tri ditë më parë pas një sulmi të Hamasit me raketa ku u vranë katër ushtarë izraelitë. 

Një brigadë tankesh izraelite është vendosur në pikëkalimin Rafah mes Gazës dhe Egjiptit të martën herët, dhe ai pikëkalim ka mbetur i mbyllur. 

Gazetarët e “Asocciated Press” kanë dëgjuar shpërthime sporadike dhe të shtëna armësh gjatë natës në atë zonë. Po ashtu kanë raportuar për dy shpërthime të mëdha herët të mërkurën. 

Rafah ka qenë një kanal jetik për hyrjen e ndihmave humanitare, që nga fillimi i luftës dhe është i vetmi vend ku njerëzit mund të hyjnë dhe të dalin nga Gaza 

Izraeli tash kontroll të gjitha pikat kufitare të Gazës, për herë të parë që kur tërhoqi trupat dhe kolonët nga territori gati dy dekada më parë. 

Ministria e Shëndetësisë e Gazës tha se të paktën 46 pacientë dhe të plagosur që ishin paraparë të largoheshin për trajtim mjekësor kanë mbetur të ngujuar. 

Agjencitë e OKB-së dhe grupet e ndihmës kanë rritur ndihmën humanitare javët e fundit, pasi Izraeli kishte hequr disa kufizime dhe kishte hapur një vendkalim shtesë në veri nën presionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, aleatit më të afërt të tij. Por, thuhet se mbyllja e Rafahs, që është porta e vetme për hyrjen e karburantit për kamionë e gjeneratorë, mund të ketë pasoja të rënda. 

Kombet e Bashkuara thonë se veriu i Gazës tashmë është në gjendje të “urisë së plotë”.