Kreu i Këshillit Kombëtar izraelit të Sigurisë, Tzachi Hanegbi, ka thënë se shteti pret “një shtatë-mujorësh tjetër luftimesh” në Gaza, për ta arritur qëllimin që ka për shkatërrimin e plotë të Hamasit.
“Është përmendur në ditët e para të prezantimit të planeve të luftës para kabinetit, se lufta do të ishte e gjatë”, ka deklaruar Hanegbi në një intervistë për një radio izraelite të mërkurën, raporton CNN.
“Tani jemi në muajin e pestë të 2024-s, që do të thotë se presim edhe shtatë muaj të tjerë luftimesh për të thelluar arritjet tona dhe për të arritur qëllimin tonë për të shkatërruar aftësitë ushtarake dhe qeveritare të Hamasit dhe Xhihadit Islamik”, ka deklaruar Hanegbi.
Forcat izraelite po vazhdojnë sulmet në Rafah, ku vetëm në sulmet e mbrëmjes të së hënës dhe orëve të para të së martës raportohet se vdiqën dhjetëra persona, shumica e të cilëve ishin të strehuar në tenda, pasi ishin zhvendosur nga zona të tjera të luftës.
Ndërkohë, SHBA-ja nuk beson se Izraeli ka nisur pushtim të shkallës së plotë të qytetit jugor të Gazës, Rafah, ka thënë zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.
Ai foli disa orë pasi forcat izraelite arritën në pjesën qendrore të qytetit dhe u raportua se morën një kodër të rëndësishme strategjike nga e cila mund ta shohin kufirin me Egjiptin.
LEXO EDHE: