Botë

Izraeli po vepron si një grup terrorist, thotë Erdogani

Rexhep Tajip Erdogan

Rexhep Tajip Erdogan

Foto: Associated Press

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë të shtunën se Izraeli nuk po vepron si një shtet, por si një grup terrorist.

Erdogan ka dënuar Izraelin për sulmet e fundit në Liban, raporton AP.

Duke folur në aeroportin e Stambollit përpara se të nisej për në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, Erdogan shprehu kritika të forta ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu.

“Sulmet e fundit në Liban kanë vërtetuar se shqetësimet tona për planet e qeverisë izraelite për të përhapur luftën në rajon janë të vërteta. Edhe një herë, për fat të keq, Izraeli po kryen sulme jo si shtet, por si organizatë terroriste”, është shprehur Erdogani.

Presidenti turk iu referua në mënyrë specifike mjeteve shpërthyese të komunikimit në Liban, të cilat besohet se kanë shënjestruar anëtarët e Hezbollahut, duke vrarë dhjetëra dhe duke plagosur mijëra të tjerë.

Erdogan i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht vendeve perëndimore, të ndërmarrin veprime kundër Izraelit. 

"Komuniteti ndërkombëtar duhet të ndalojë së vëzhguari këto veprime kriminale të Izraelit dhe të ndërmarrë hapa parandalues”, ka shtuar ai. 

Erdogani foli edhe për shkrirjen e marrëdhënieve të Turqisë me Sirinë, duke thënë se miliona sirianë presin të kthehen në shtëpi.

Ai vuri në dukje se Ankaraja ka ndërmarrë hapa për të normalizuar marrëdhëniet me presidentin sirian Bashar al-Assad dhe po pret një përgjigje nga Damasku.