Botë

Izraeli po i kryen testimet e ADN-së për ta konfirmuar nëse është vrarë Sinwari

Yahya Sinwar

Yahya Sinwar

Një zyrtar i lartë i sigurisë izraelite ka thënë se janë duke u kryer testimet e ADN-së, në mënyrë që të konfirmohet nëse është vrarë lideri i Hamasit, Yahya Sinwar, raporton BBC.

Izraeli veç se e ka ADN-në e Sinwarit dhe të dhënat e tjera biometrike nga dosja e tij e burgut, për t'i krahasuar me trupin e gjetur.

Ushtria izraelite raporton se dyshohet se Sinwar u vra gjatë një operacioni tokësor në qytetin jugor të Gazës, Rafah. Në atë operacion Izraeli tha se vrau  “tre terroristë”.

Transmetimi i ushtrisë gjithashtu tha se provat vizuale sugjerojnë që Sinwari është një nga të vrarët dhe se janë duke i kryer testimet e ADN-së.

Anëtarët e Kabinetit izraelit të sigurisë janë informuar se ka shumë gjasa që lideri i Hamasit është vrarë, kanë thënë dy zyrtarë të lartë më njohuri në këtë çështje.

Zyrtarë anonim kanë raportuar për “Channel 12” të Izraelit, se Sinwari është “eliminuar”.

Në një postim në rrjetet sociale, Ministri i Mbrojtjes, Yoav Gallant, ka cituar Toran, për të thënë se armiqtë e Izraelit nuk mund të fshihen.

Gallant ka shkruar një fragment nga Levitiku 26 që thotë: “Ti do t’i ndjekësh armiqtë e tu dhe ata do të bien para teje nga shpata”.

“Armiqtë tanë nuk mund të fshihen. Ne do t’i gjejmë dhe do t’i eliminojmë”, ka shtuar Gallanti.

Burime të Hamasit thanë për "Reuters" se bazuar në indikacionet Sinwar mund të jetë vrarë në sulmin izraelit.