Ushtria izraelite ka thënë se është e përgatitur për çfarëdo kërcënimi të mundshëm nga Irani, pas rritjes së tensioneve si pasojë e sulmit izraelit të së hënës ndaj Konsullatës së Iranit në Damask, raporton BBC.
Shtatë oficerë të Gardës Revolucionare të Iranit kanë mbetur të vrarë si pasojë e sulmit izraelit në kryeqytetin sirian.
Yahya Rahim Safavi, këshilltar i lartë i liderit suprem Ayatollah Ali Khamenei, ka thënë se Irani ka të drejtë legjitime që t’i përgjigjet sulmit të së hënës.
Ai ka paralajmëruar se ambasadat e Izraelit nuk janë më të sigurta pasi Irani po përgatitet të hakmerret.
“Ambasadat e regjimit sionist nuk janë më të sigurta”, ka thënë ai për agjencinë iraniane të lajmeve Isna. Ndërkohë forcat amerikane dhe izraelite në rajon janë vënë në gatishmëri të lartë në pritje të një sulmi të mundshëm nga Irani.
Sipas raportimeve në mediat amerikane, hakmarrja e Iranit mund të ndodhë në ditët në vijim.
E në një deklaratë, ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant ka bërë të ditur se kanë përfunduar përgatitjet për t’iu përgjigjur çdo skenari të mundshëm iranian.
Ushtria e Izraelit ua ka ndërprerë pushimin të gjitha njësive ushtarake dhe ka mobilizuar rezervistët për të forcuar mbrojtjen ajrore.
Izraeli gjithashtu ka bllokuar sinjalet GPS në të gjithë territorin e vendit në mënyrë që të pengojë raketat dhe dronët që hyjnë në vend.
Mediat në Izrael kanë raportuar po ashtu se disa nga ambasadat e vendit janë evakuuar për shkak të mundësisë për sulm nga Irani.