Forcat izraelite janë tërhequr nga Jabalia në veri të Gazës, pas një ofensive trejavore, atje ku dhjetëra mijëra civilë u larguan nga zona.
Ushtria njoftoi se “qindra terroristë janë eliminuar dhe janë shkatërruar tunele gjatë operacionit”.
Fotot nga Jabalia tregojnë një shkatërrim të gjerë, me ndërtesa shumëkatëshe të kthyera në rrënoja.
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) ishin kthyer në qytet muaj pas tërheqjes, duke thënë se Hamasi po rigrupohej atje.
“Times of Israel” ka shkruar se oficerët i kishin përshkruar luftimet në Jabalia si disa nga më intensivet të luftës. Ushtria izraelite ka bërë të ditur se Hamasi kishte “shndërruar zonën civile në një kompleks luftarak të fortifikuar, kishte qëlluar drejt trupave nga zonat e mbrojtura dhe shkollat dhe kishte ndërtuar një rrjet terrorist të nëndheshëm nga brenda ndërtesave civile”.
Ajo njoftoi gjithashtu se kishte shkatërruar raketahedhës “gati për përdorim” dhe disa vende të prodhimit të armëve, raporton BBC.
Operacioni i dytë tokësor i forcave izraelite në Jabalia erdhi katër muaj pasi kishin deklaruar se kishin çmontuar kapacitetet ushtarake të Hamasit në Gazën veriore.
Të mërkurën një ndihmës kryesor i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se lufta mund të vazhdojë të paktën edhe pjesën tjetër të vitit.
Ndërkohë, bisedimet për armëpushim janë zbehur më tej pasi Hamasi njoftoi të enjten se nuk do të negociojë derisa Izraeli kryen gjenocid në territorin palestinez.
Lufta filloi në tetor kur pjesëtarë të armatosur të Hamasit kryen një sulm ndaj Izraelit, duke vrarë rreth 1200 njerëz dhe duke marrë 252 të tjerë peng në Gaza.
Më shumë se 36 mijë njerëz në Gaza janë vrarë në ofensivën izraelite, thotë Ministria e Shëndetësisë e Hamasit.