Botë

Ministri izraelit i Mbrojtjes bën thirrje për qetësi pas sulmeve ndaj Hezbollahut

Izrael

(E përditësuar në 08:37) - Ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Yoav Gallant ka thënë se banorët duhet të rrinë të qetë, pasi ushtria izraelite nisi një nga sulmet më të gjera ajrore kundër grupit militant Hezbollah, duke shënjestruar Libanin jugor, Luginën Bekaa në lindje dhe rajonin verior afër Sirisë.

“Ne jemi duke i intensifikuar sulmet në Liban, këto veprime do të vazhdojnë derisa ta arrijmë synimin për t’i rikthyer banorët e veriut të sigurt në shtëpi”, ka thënë Gallant në një video të publikuar nga zyra e tij të hënën. “Këto janë ditët në të cilat populli izraelit do të duhet të tregojë gjakftohtësi”.

Më herët, zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee ka thënë se sulmet ajrore në shtëpitë në Liban, në të cilat “Hezbollahu fsheh armë” janë të pashmangshme.

Banorët në jug të Libanit kanë marrë thirrje nga një numër libanez që i ka urdhëruar ta distancojnë veten 1000 metra nga çdo post i përdorur nga Hezbollahu, raporton Reuters.

Ministri libanez i Informacionit, Ziad Makary ka thënë se ministria e tij ka marrë thirrje të ngjashme që kanë urdhëruar ndërtesën të evakuojë, por ka thënë se ministria nuk do ta bëjë një gjë të tillë. “Kjo është luftë psikologjike”, ka thënë Makary.

Në një deklaratë më të hershme televizive, zëdhënësi ushtarak i Izraelit, Daniel Hagari ka lëshuar një paralajmërim të ngjashëm dhe ka thënë se është duke u “shpërndarë në arabisht në të gjitha rrjetet dhe platformat në Liban”.

Kur është pyetur nga reporterët për një inkursion tokësor të mundshëm izraelit, Hagari ka thënë “se do të bëjmë çfarë është e mundshme” në mënyrë që t’i rikthejmë banorët e evakuuar nga Izraeli verior në shtëpi të sigurt, prioritet i luftës për qeverinë izraelite.

Sulmet e fundit kanë ardhur në mes të disa nga shkëmbimeve më të rënda të sulmeve ndërkufitare në gati një vit të konflikteve mes Hamasit dhe Izraelit në Gazë.

Hagari ka prezantuar në një konferencë për media një video ajrore të atyre që ai i ka përshkruar si operativë të Hezbollahut që përpiqeshin të lëshonin raketa nga një shtëpi civile në Liban dhe sulmin pasues izraelit pak para se raketa të lëshohej.

“Hezbollahu është duke ju rrezikuar. Duke ju rrezikuar juve dhe familjen tuaj”, ka thënë Hagari.

Avionët luftarakë izraelitë kryen një valë intensive sulmesh ajrore në qytete përgjatë kufirit jugor të Libanit, madje edhe më në veri të hënën në mëngjes, sipas dëshmitarëve.

Një raketë goditi një shpat mali të pabanuar në lindje të qytetit Byblos, tha media shtetërore libaneze, në një zonë që nuk është goditur më parë nga sulmet ajrore. Zona bie midis fshatrave të krishterë dhe shiitë.

Ministria e Shëndetësisë e Libanit ka thënë se të paktën një person është vrarë dhe gjashtë të tjerë janë plagosur nga sulmin izraelit në rajonin Hermel në verilindje të Libanit. 11 të tjerë u plagosën në një sulm në qytetin jugor të Aitarun, ka thënë ministria në një deklaratë.


Izraeli paralajmëron sulme më të ashpra, u kërkon civilëve libanezë të largohen nga objektivat e Hezbollahut

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari, u ka kërkuar civilëve libanezë që të largohen nga zonat e përdorura nga grupi i mbështetur nga Irani për qëllime ushtarake.

Izraeli ka njoftuar se sulmet e sotme priten të jenë më të ashpra se bombardimet e forta të fundjavës, raportoi BBC-ja.

I pyetur nga gazetarët në lidhje me një inkursion të mundshëm tokësor izraelit, ai tha se Izraeli do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për t'i kthyer banorët e evakuuar të Izraelit të sigurt në shtëpitë e tyre.

Dje, Hezbollahu lëshoi raketa më në thellësi të territorit izraelit.

Sulmet e sotme pritet të ndodhin pasi luftimet mes Izraelit dhe Hezbollahut u intensifikuan gjatë fundjavës.

Sipas ushtrisë izraelite, Hezbollahu me bazë në Liban lëshoi 150 predha drejt Izraelit, në shenjë hakmarrjeje për sulmet e fundit.